Komuna e Mamushës me vetëm 2 gra të papuna
Agjencia e Statistikave e Kosovës ka nxjerrë në pah një të dhënë, që në kushtet tona s’ka si të mos trajtohet si kuriozitet. Banorët e Komunës së Mamushës janë më punëtorët. Prej 1.227 banorëve, të aftë për punë në këtë komunë të re, vetëm 34 prej tyre nuk punojnë.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se 1.193 banorë të kësaj komune janë të punësuar. Në kohën e regjistrimit, 11 banorë të kësaj komune kanë thënë se janë në pritje të fillimit të punës, 9 prej tyre janë të regjistruar se kurrë nuk kanë punuar më parë, ndërsa 14 kanë punuar më parë, por që tani nuk punojnë. Janë burrat e kësaj komune që kanë rritur numrin e të papunëve në këtë komunë. Vetëm 5 gra të kësaj komune janë të regjistruara të papuna, madje 3 prej tyre presin të punësohen. Banorët e kësaj komunë kryesisht merren me bujqësi.
Më papunëtorët dalin të jenë banorët e Deçanit, Vushtrrisë e Malishevës. Në Komunën e Deçanit më shumë ka banorë që nuk kanë punuar kurrë më parë sesa që janë të punësuar tani. E njëjta situatë pothuajse është edhe në Vushtrri. Numrin më të madh të të papunëve e ka Komuna e Prizrenit. Në këtë komunë rreth 23 mijë banorë të kësaj komune janë të regjistruar si të papunë apo rreth 2 mijë të punë më shumë se Prishtina që ka 23 mijë banorë të aftë për punë më shumë se Prizreni, raporton koha.
Problemin më të madh në punësim e kanë gratë në Komunën e Podujevës ku prej rreth 5 mijë gra të afta për punë, vetëm 1 mijë e 600 prej tyre punojnë, në Gllogoc nga 4 mijë e 400 gra të afta për punë rreth 3 mijë gra të kësaj komune nuk kanë punuar kurrë më parë. Të dhënat e Agjencisë tregojnë se nga 6 mijë e 400 vushtrriasve të afta për punë, 4 mijë e 200 prej tyre kurrë nuk kanë punuar më parë./Indeksonline/