Katër raste të dyshimeve për afera të korrupsionit
Dallueshmëria mes procesverbalit të hapjes së tenderit dhe paralajmërim të kontratës për realizimin e projektit që ka të bëjë me ndërtimin e kompleksit memorial të dëshmorëve të kombi në Gradishtë të Rahovecit, sipas përfaqësuesve të Institutit Demokratik të Kosovës, është shumë e madhe.
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, i tha Radio Kosovës se rasti është lajmëruar nga një kompani dhe dyshohet për shkelje të procedurave të tenderimit, me ç`rast shuma në kontratë është për 105 mijë euro më e madhe se në hapjen e tenderit.
“Në bazë të dokumentacionit që kemi pa në procesverbalin gjatë hapjes së tenderëve, kompania e cila e ka marrë këtë tender ka aplikuar me 370 mijë euro. Ndërsa, në lajmërimin e kontratës së paradhënies për këtë tender është vlera 475 mijë euro, që ka një dallueshmëri mes kësaj”, theksoi ai.
Në anën tjetër, shefit të zyrës së prokurimit në Komunën e Rahovecit, Jetullah Kabashi, tha për Radio Kosovën se bëhet fjalë për gabim aritmetik.
“Kemi të bëjmë me një gabim në llogaritje të cilin komisioni gjatë ekzaminimit të tenderit dhe gjatë vlerësimit e ka rekomanduar si firmë fituese firmën me çmimin më të ulët. Dhe pas ekzaminimeve nuk ndërrohet fituesi. Ne kemi shkuar në bazë të gjitha procedurave të rregullta të prokurimit publik”, tha Kabashi.
Mirëpo, sipas Ismet Kryeziut, edhe pse ligji e mundëson që gabimet aritmetike të hetohen nga një komision i veçantë dhe të përmirësohen, megjithatë përqindja në llogaritje është e lartë.
“Ne konsiderojmë se është mbi 35% gabim, nëse është çështje gabimi. Prandaj, ne i kemi bërë thirrje kryetarit të Komunës së Rahovecit që të sigurohet që ky proces të jetë transparent, i ndershëm dhe të mos ketë shkelje të procedurave të tenderimit”, tha ai.
Drejtoi ekzekutiv i KDI-së potencon se po punohet edhe për tri raste të tjera që të sigurohen dokumentacionet përgjegjëse dhe pastaj do të plasohen ne vebportalin “Tenderi im”.