Kalo te lënda

Arton Muslia: Ika nga diktatura e VV-së

Njëri prej aktivistëve më të vjetër të Lëvizjes Vetëvendosje në Viti, është larguar nga subjekti politik i Albin Kurtit. Ish-Sekretari Organizativ, Arton Musliu, thotë se ia ka kthyer shpinën Vetëvendosjes për shkak të funksionimit të brendshëm diktatorial.

Edhe për Albin Kurtin ka thënë se është diktator dhe merr vendime sikur Hashim Thaçi në PDK, Isa Mustafa në LDK e Ramush Haradinaj në AAK.

Këto konstatime Musliu thotë se i mbështet në faktin se Albin Kurti ka vendosur dhe vendos për gjithçka në Vetëvendosje pa e marrë mendimin e anëtarëve në terren. Kësaj ia shton edhe mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme, që, sipas tij, në secilën pikë të Vetëvendosjes janë emëruar njerëzit e nuk janë zgjedhur nga anëtarësia.

“Askund s’ka pasur kundërkandidatë. Në Kuvendin që është mbajtur vitin e kaluar mua më është pamundësuar kandidimi. Kur janë formuar pikat edhe është formuar Këshilli i Përgjithshëm, me urdhër të Albinit, përmes Dardan Molliqajt, më është pamundësuar kandidimi”, ka treguar Musliu për “Express”.

Ai ka thënë se deklarimet e Albin Kurtit për moral në politikë janë vetëm deklarime boshe, që mundohet t’ua shesë partive tjera, por pa i aplikuar në Lëvizjen e tij.

“Jam larguar së pari për shkak të diktatit prej së larti. Në asnjë pikë të VV-së nuk ka pasur kundërkandidatë. Ka ardhur Albini dhe ka treguar emrin se kush do të jetë udhëheqës. Shembull e keni parë që e përmend përfshirjen e moralit në politikë. Kjo është vetëm jashtë, brenda nuk është. Kur nuk je i mirë brenda, nuk mund të jesh as i mirë jashtë”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Lini një koment