Shiten mbi 40 mijë euro mjaltë, për tre ditë
Panairi i bletarisë, i hapur ditë më parë në sheshin “Nëna Terezë”, rezultoi të jetë mjaft i suksesshëm për bletarët që ekspozuan produktet e mjaltës tre ditë radhazi.
Sipas të dhënave të Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, e cila ka përcjellur shitjen nga afër, gjatë këtyre tre ditëve janë shitur gjithsej 4028 kilogramë mjaltë, në vlerë prej 40280 euro.
Haxhi Demukaj, kryetar i Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, tha se në këto të dhëna nuk është përfshirë edhe shitja e nënprodukteve të tjera të mjaltës, e cila sipas bletarëve, ka qenë rreth 6 mijë euro. “Ishte një panair mjaft i suksesshëm, i cili është duke u shndërruar në mundësinë më të mirë të shitjes së mjaltës vendore dhe nënprodukteve të saj”, tha Demukaj.
Ndërsa, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, të cilët e bashkëorganizojnë këtë panair me Lidhjen e Bletarëve të Kosovës, thonë se në vitin e ardhshëm, për shkak të shitjeve të kënaqshme, do të fokusohen në masë më të madhe në organizimin e panaireve, të cilat do të jenë edhe më atraktive për konsumatorët, por edhe për opinionin në përgjithësi, sepse do të shoqërohen edhe me aktivitete të tjera.
“Për shkak të motit me shi në ditën e parë, kemi pritur se shitja do të jetë shumë më e vogël. Por, mjalta cilësore e bletarëve tanë, për të cilën ka kërkesë të madhe edhe nëpër pika shitëse, por që nuk furnizohen rregullisht për shkak të mosfunksionimit të mirë të rrjeteve të distribuimit, mendojmë se ka bërë që konsumatorët të blejnë sasi më të madhe për t’i ruajtur edhe si rezerva”, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj.
Në panairin e bletarisë “Kosova 2012″, i cili ka qenë i hapur deri të shtunën në mbrëmje, prodhimet e mjaltës i kanë ekspozuar mbi 50 bletarë./rtv21/