Kalo te lënda

Qeveria “neutrale”: As për as kundër Pacollit!

Një javë pas shpërthimit të skandalit me hotelin Grand, Qeveria vazhdon të mos deklarohet në lidhje me përfshirjen e Zëvendëskryeministrit të Parë, Behgjet Pacolli.

Përpos se ende nuk ka një vendim nëse Pacolli do të “lirohet” nga posti qeveritar për shkak të hetimeve që janë duke u zhvilluar, në Qeveri hezitojnë të flasin për rastin konkret

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili është edhe zyrtar i lartë i PDK-së, thotë se nuk i komenton rastet specifike të drejtësisë.

“Këto janë çështje të drejtësisë dhe unë s’i komentoj”, ka thënë Kuçi për “Express”, kur është pyetur se cili është qëndrimi i Kryeministrit dhe Qeverisë për aferën e Pacollit me Grandin.

Megjithëkëtë, Qeveria e Kosovës nuk është distancuar nga veprimet e Pacollit, i cili është i përfshirë në aferën e privatizimit të hotelit Grand. Zëvendëskryeministri i Parë kishte thënë se ish-zyrtari i kësaj Qeverie, Astrit Haraqija, i kishte kërkuar miliona euro në këmbim të rregullimit të pronësisë së hotelit Grand. Më vonë kishte dalë se Pacolli kishte shkelur ligjin, pasi nuk e kishte denoncuar me kohë Haraqinë për kërkim të ryshfetit.

Në krejt këtë situatë, Qeveria dhe Kryeministri nuk kanë dalë as në mbrojtje të Liderit të AKR-së, i cili ka thënë se nuk do të largohet vetë nga Qeveria.

Hajredin Kuçi ka pohuar se Qeveria e Kosovës u jep mbështetje të plotë vetëm organeve të drejtësisë për të hetuar secilin rast ku ka dyshime për veprime të jashtëligjshme.

“Dëshiroj të theksoj se Qeveria e Kosovës i jep mbështetje të plotë organeve të drejtësisë”, ka thënë Kuçi.

Lini një koment