Nënshkruhet Pakti i Bashkimit Kombëtar
Nuk shuhen përpjekjet për bashkimin e trojeve shqiptare. Në kishën e fshatit Stubëll, përfaqësues të familjeve Jashari, Ramadani e Rugova, përfaqësues të trevave shqiptare si dhe Albin Kurti, kreu i Vetëvendosjes, nënshkruan paktin e bashkimit me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Ipeshkvi Dodë Gjergji, bekoi dhe flamurin kuq e zi. Ai në fjalimin e tij të gjatë tha se qendra e kombit shqiptar dhe e bashkimit kombëtar, ka qenë Kisha, transmeton KTV.
Përjashta kishës ku u mbajt ceremonia qendrore e takimeve të Don Mikel Tarabulluzit, shtrihet flamuri gjigant, ai i kuqezinjve të përfaqësueses shqiptare në futboll.
Më pas, në sallën e madhe u mbajt ora e madhe letrare ku 40 poetë dhe poetesha lexuan poezitë e tyre.
Takimet e Dom Mikelit, janë një manifestim i rregullt kulturor që mbahet për të 23-ën herë në këto treva.