Liberalizimi ëndërr e largët për Kosovën
Procesi i liberalizimit të vizave në Kosovë duhet të jetë prioritet themelor i qeverisë së vendit, e cila duhet të rritë dinamikën në zbatimin e kushteve, përndryshe Kosovës do t’i zgjatet edhe më shumë ky proces.Kështu u vlerësua në analizën me titull, ‘Një Matricë Vlerësimi mbi të Arriturat dhe Sfidat e Kosovës në përmbushjen e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave”, të publikuar të shtunën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.
Fisnik Korenica, analist në Grupin për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se, kjo Matricë bën një vlerësim detal të progresit dhe sfidave në përmbushjen e kushteve të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, duke dhënë një notë mbi përmbushjen e detyrave në secilin bllok të Udhërrëfyesit.
Matrica, gjithashtu, tregon për kushtet detale që i mbesin Kosovës për t’u përmbushur muajve në vijim, duke dhënë edhe rekomandime mbi pikat e pazbatuara të Udhërrëfyesit.
Sipas tij, kjo Matricë është rezultat i një monitorimi disamujor të performancës së institucioneve të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve nga Udhërrëfyesi.
“Analiza jonë në përgjithësi tregon që procesi i liberalizimit të vizave në Kosovë duhet të jetë prioritet themelorë i qeverisë dhe se qeveria duhet të rritë dinamikën në zbatimin e kushteve, përndryshe Kosovës do t’i zgjatet edhe më shumë ky proces kaq i rëndësishëm për qytetarët e vendit. Përveç kësaj, analiza gjithashtu tregon që procesi apo zbatimi i kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nuk varet krejt nga institucionet e Kosovës, pasi që janë disa kushte që varen nga faktori i jashtëm, siç është dialogu Kosovë –Serbi, apo edhe nga autoriteti i vet BE-së dhe pozicioni i saj përballë KFOR-it dhe Eulex-it”, ka thënë ai.
Dren Doli, duke folur për analizën e bërë, ka thënë se vlerësimi i përgjithshëm i Grupit për Studime Juridike dhe Politike në lidhje me arritjet e Kosovës në përmbushjen e objektivave të udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave është 3.5, që në terma narrativ nënkupton që Kosova ka ende shumë objektiva për të përmbushur.
“Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka bërë një vlerësim të hollësishëm të objektivave individuale që dalin nga udhërrëfyesi dhe ka identifikuar një numër sfidash që lidhen me zbatimin ose jo të këtyre objektivave. Analiza tregon në mënyrë të detajuar progresin e institucioneve të Kosovës në arritjen e objektivave individuale, në arritjen e objektivave të nënblloqeve dhe në kuadër të blloqeve dhe për çdo notim që ka bërë ka treguar edhe sfidat kryesore dhe nivelin e përgjithshëm të arritjeve të këtyre objektivave. Vlen të theksohet fakti se Kosova ka marrë një udhërrëfyes që është më i detajuar dhe më i rëndë se sa i vendeve në rajon”, ka thënë ai.
Sipas, këtij studimi të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, del se plotësimi i objektivave nga institucionet e Kosovës variojnë nga blloku në bllok. Në këtë kuptim, është e rëndësishme të thuhet që Blloku 3 mbi sigurinë dhe rendin publik, veçanërisht objektivat që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë renditur shumë ulët sipas indeksit të përcaktuar nga GLPS, me gjithsej 3 pikë.
Po ashtu, Blloku 2 – kufiri shtetëror dhe menaxhimi i migrimit dhe sidomos objektivat që lidhen me kufirin shtetëror, kanë ndikuar që blloku në fjalë të jetë i notuar me 3.3 pikë arritje gjithsej.
Sfidat që mbesin, dhe që duhet ndërmarr masa që të përmbushen sa më shpejtë nga ana e Qeverisë së Kosovës, sipas blloqeve, janë, Siguria e Dokumenteve, Kufiri Shtetëror dhe Menaxhimi i Migracionit, Rendi dhe Siguria Publike, si dhe në fund, të Drejtat themelore në lidhje me lirinë e lëvizjes.