Kalo te lënda

Berisha: Na ndanë para një shkulli, tash duhet të bashkohemi!

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në fjalën e mbajtur në punimet e Ndërkombëtares së Demokrateve te Qendrës, që u zhvillua në Romë, është shprehur se e gjitha bota duhet të mësojë nga Shqipëria sa i takon tolerancës fetare. “Unë besoj se kombi im mund të jap shembuj të mirë në një prej çështjeve më të ndjeshme të kësaj kohe”.

Duke marrë shkas nga protestat në të gjithë botën islame për shkak të filmit “Pafajësia e myslimanëve”, kreu i qeverisë tha se, “imamët në Shqipëri ishin të pakënaqur, por ata i bënë thirrje ndjekësve të tyre, në respekt të profetit të adhuruar Muhamed, të japin gjak për fëmijët talasemik, të sigurojnë libra falas për të rinjtë, për t’i edukuar më mirë”.

 

Berisha nënvizoi se Shqipëria sot kryeson institucionin më të vjetër demokratik në Evropë, Këshillin e Evropës dhe motoja është “Të bashkuar në diversitet”, me të cilën do të ndihmojë për afrimin e vendeve arabe me KiE-në.

 

Shqipëria u nda padrejtësisht

 

Kreu i qeverisë tha se në 20 vite pluralizëm CDI ka ndihmuar Shqipërinë të ecë në rrugën e demokracisë por theksoi se 100 vjet më parë ndërkombëtarët i shkaktuan një dëm të

jashtëzakonshëm duke copëtuar territorin e saj.

 

“Jam krenar që ju drejtohem sot, sepse ky është një vit i veçantë për vendin tim, viti i 100 vjetorit të pavarësisë sonë. Pavarësia e Shqipërisë u shpall 100 vite më parë, por ai ishte gjithashtu një vit vendimesh të tmerrshme për ndarjen më të padrejtë të territoreve shqiptare, që i shkaktuan një humbje të madhe vendit tim: vështirësi, diktaturë, pushtime”, tha kryeministrit shqiptar.

 

Në 2013 marrim mandat të ri. Duke folur për zhvillimet aktuale, Berisha u bëri thirrje që të dërgojnë vëzhgues për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve dhe ju ftoj të vini, të dërgoni vëzhgues në këto zgjedhje. Duket sikur Partia Demokratike e Shqipërisë do të ketë një mandat të ri sepse ka treguar një angazhim të palëkundur dhe besim të fortë ndaj lirisë dhe vlerave që ndajmë së bashku”, tha ai, raporton shekulli.

 

Kreu i qeverisë u shpreh se “Shqipëria gjatë këtyre 20 viteve ka treguar se çfarëdo që ka arritur e ka arritur duke respektuar liritë, dhe mbi të gjitha liritë e tregut” duke bërë në paralelizëm me Kinën. “Ju dëgjova duke përmendur Kinën, por nëse i shikoni liritë ekonomike në Kinë, do të gjeni një tipar ndryshe nga ai që ne kemi në mendjet tona, miku im”, tha Berisha./standardi.

Lini një koment