Zbulohet punëtoria e falsifikimit të alkoolit
Në një operacion të Doganës së Kosovës, të zhvilluar në Prishtinë dhe Podujevë gjatë ditës së premte, është arritur të zbulohet një punëtori dhe rrjeti i shpërndarje së alkoolit të falsifikuar.
Pas hetimeve të bëra, Dogana e Kosovës ka arritur që personat dhe lokacionet e dyshuara t’i identifikojë, kurse tw remten në orët e mëngjesit ka filluar aksionin, i cili ka pwrfunduar me sukses.
Njësitet e doganës, me urdhër të prokurorit, kanë bastisur tri lokacione të ndryshme – dy në Prishtinë dhe një në Podujevë, njofton Dogana e Kosovës.
Në rajonin e Prishtinës është zbuluar edhe punëtoria për falsifikimin e alkoolit. Aty janë gjetur etiketa të shumë llojeve të alkoolit, shishe të zbraztë si dhe një sasi e konsiderueshme e dyshuar e etanolit (mbi 250 litra).
Gjithashtu janë gjetur pajisje për mbylljen e shisheve të paketimeve të llojeve të ndryshme, si dhe ngjyrë artificiale. Pajisjet janë sekuestruar, kurse gjatë orëve të pasdites ka filluar intervistimi i personave të dyshimtë.
Dogana e Kosovës fton të gjithë qytetarët të cilët posedojnë informata për raste të këtilla dhe raste të tjera të kontrabandës ta kontaktojnë në linjën e sigurt 038 500 095.