Lunacek: Kosova është plotësisht e pavarur
Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek ka thënë se Serbia këtë vit nuk do ta merr datën për fillimin e negociatave me BE-në.
Ajo, gjatë diskutimeve në temën “Përmbyllja e pavarësisë së Kosovës” organizuar nga Instituti austriak për Politikë të Jashtme, ka thënë se Serbia duhet t’i përmbushë kushtet që i ka vendosur Komisioni Evropian.
Sipas saj, Serbia deri më tash gati asgjë nuk ka implementuar nga raporti i kaluar i Komisionit Evropian, dhe ka shtuar se elementi qendror është implementimi i marrëveshjes për menaxhimin e kalimeve kufitare.
Ajo ka thënë se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës karakterizohet me hap të rëndësishëm në kohë duhur. Ajo, megjithatë ka thënë se në fushën e sundimit të ligjit, EULEX-i edhe më tej do të ketë përgjegjësi të caktuara, por “Kosova si shtet e ka fituar pavarësinë e plotë”.
Lunacek ka thënë se në nivel ndërkombëtar ende mungojnë njohje që Kosova të jetë anëtare e organizatave siç është OKB-së. “Në OKB ende mungon numri i mjaftueshëm i njohjeve që të sigurohet shumica ne Asamblenë e Përgjithshme. Nën kryesimin e Vuk Jeremiqit gjatë një viti, edhe nëse 20 vende tjera pranojnë pavarësinë, anëtarësimi në OKB do të ishte shumë i vështirë, megjithatë, do t’i vije koha edhe kësaj”, ka thënë politikania austriake.
Sa i përket veriu të Kosovës, ajo ka thënë se Beogradi dhe veriu duhet ta pranojnë Planin e Ahtisaarit, sepse më këtë do të fitonin autonomi të gjerë, si dhe mundësinë e pranimit të mjeteve nga Serbia, por në mënyrë transparente dhe pa struktura paralele.
Për politikën e jashtme evropiane, Lunacek ka thënë se Kosova është simbol, sepse nëse Evropa nuk arrin të udhëheqë politikë unike ndaj një vendi të vogël, çfarë fuqie do të kishte Brukseli në botë. Ajo ka kritikuar pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovë, duke theksuar se këtë nuk e kanë bërë jo sepse pajtohen me serbët dhe politikën serbe, por për shkak të arsyeve të tyre, pasi që frikësohen që në territorin e tyre mund të ketë kërkesa për ndarje.