Fitojnë nga shfrytëzimi seksual i vajzës me probleme psikike
Policia e Kosovës ka arrestuar Ardian M, Krist T dhe Nasuf B, si të dyshuar për shfrytëzimin seksual të 20 vjeçares me probleme psikike – A. S. Tre të dyshuarit, përveç që kishin shfrytëzuar viktimën, ata kanë përfituar edhe nga disa klientë të tjerë, të cilëve ua shisnin viktimën për 50 ose 100 euro.
Viktima A. S., e cila ishte paraqitur si e zhdukur nga të afërmit e saj, në stacionin policor në Istog, është gjetur nga policia dhe dyshohej se ishte viktimë potenciale e trafikimit me njerëz.
E njëjta është intervistuar në prani të mbrojtësit të viktimave dhe ka pranuar se ka punuar në lokalin “Te Meda” në fshatin Zajm të komunës së Klinës, pronë e të dyshuarës Dritunije H.
“Viktima e këtij rasti ishte shfrytëzuar seksualisht nga të dyshuarit, shtetasit Ardian M. (1983), Krist T. (1985), Nasuf B.(1971) dhe nga disa klientë të tjerë (të paidentifikuar ende nga hetuesit), të cilët e kanë marr viktimën nga lokali dhe e kanë dërguar në hotele dhe shtëpi private të ndryshme, duke e detyruar që të kryej marrëdhënie seksuale me ta, pa dëshirën e saj. Për shërbimet e detyrueshme nga të dyshuarit, këta të fundit nga klientët kanë pranuar të holla në shumë prej 50-100 euro”, bëhet e ditur nga policia.
Viktima është dërguar në shtëpinë e sigurt, në një strehimore – me pëlqimin e saj – ngase e njëjta është person me çrregullime psikike dhe për ketë posedon edhe dokumentacion nga neuropsikiatri.
Personat dyshuar, me vendim të Prokurorit të çështjes, janë ndaluar për 48 orë dhe rasti do te procedohet në Prokurori në procedurë të mëtutjeshme, transmeton KP.
Po ashtu, gjatë zhvillimit të këtij operacioni policor është arrestuar edhe një femër, shtetasja Fitore N. (1990) e cili ka qenë në kërkim me letër-rreshtim, për vepër penale të vjedhjes së rëndë.