Ekskursionet: Edhe Mustafa shkon ne Slloveni
Me ftesë të autoriteteve sllovene, Kryetari i Prishtinës Dr. Isa Mustafa së bashku me Drejtorin e Administratës Edon Myftari po qëndron për vizitë zyrtare në Lubjanë, ku po merr pjesë në punimet e Forumit të Lubjanës, konferencë rajonale për bashkëpunim në fushën e energjisë dhe zhvillimit.
Në konference, siç raporton QIK-u, po marrin pjesë kryetarë të kryeqyteteve të rajonit, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të cilën janë duke u diskutuar rrugët e bashkëpunimit, zhvillimit dhe shfrytëzimit të energjisë alternative dhe ripërtëritëse.
Kryetari i Prishtinës Isa Mustafa në fjalimin e tij potencoi projektet e shumta të cilat Prishtina është duke zbatuar, si projekti i koogjenerimit të ngrohjes së qytetit, ndërtimi i shkollave dhe institucioneve tjera publike me kushte që plotësojnë standardet kursyese, siç është shkolla e gjelbër, si dhe zëvendësimi i ndriçimit të qytetit nga llambat standarde me ato kursyese në të gjitha rrugët dhe parqet e kryeqytetit.
“Të gjitha këto projekte janë projekte që ulin dukshëm shpenzimet në energji elektrike dhe mbrojnë ambientin”, tha kryetari Mustafa..