Edhe Kamenica e prodhon Marlboron
Jo vetëm veriu i Mitrovicës është vendi i kontrabandës, ka edhe vende të tjera në Kosovë që bëhet kontrabandë, ndonëse jo me derivate të naftës bëhet me prodhimin e duhanit. Në rrethinën e Komunës së Kamenicës prodhohet duhan edhe atë llojit Marlboro, pa ndonjë banderolë dhe pa mbishkrime se çka përmban ky duhan.
Agjencia e Lajmeve Kosovapress ka hasur në pako të cigareve që prodhohen në fshatrat e rrethinës së Kamenicës. Edhe pse i prodhuar jo në ndonjë fabrikë të mirëfilltë dhe pa ndonjë analizë, ky duhan konsumohet nga qytetarët, pasi që mund të blejnë më çmim shumë të lirë për vetëm 0.60 cent një pako, ndërkohë një shteg kushton vetëm 5 euro. Ndërsa në treg një pako me banderolë shitet për 1.80 euro.
Vetëm të shikoni pakon e cigareve mund të vëreni menjëherë që keni të bëni me një pako e cila nuk ka mbishkrimin sikur të gjitha të tjerat që thuhet “Duhani dëmton seriozisht shëndetin”. Gjithashtu nuk ka të dhëna se sa përmban dyoksid karboni dhe nikotinë.
Po ashtu, me hapjen e pakos mund të vëreni që cigaret nuk janë të mbushura mirë me duhan, që të lënë dyshime për një prodhim ilegal.
E gjithë kjo kontrabandë bëhet në njërin nga fshatrat e komunës së Kamenicës, ndërsa për këtë gjë as që janë në dijeni Doganat e Kosovës apo institucionet e tjera.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për Kosovapress se Dogana nuk është në dijeni që ka një aktivitet të tillë në vend.
“Sipas informatave tonë nuk kemi indikacione që ka kësi lloj aktiviteti në Kosovë”, ka theksuar Stavileci.
Për më tepër, ai ka shtuar se me fillimin e implementimit të sistemit të banderolave ka rënë dukshëm edhe kontrabandimi i duhanit.
“Ka një kohë të gjatë, ka vite prej implementimit të sistemit të banderolave, është parë që problemi i kontrabandës, duhanit është minimizuar, faktikisht gjatë viteve të fundit kemi rënie të kontrabandës me cigare. Arsyeja është shumë e thjeshtë se identifikimi i cigares i cili është kontrabanduar edhe i cili është i zhdoganuar është shumë i lehtë për njësitë tona, gjithashtu edhe për policinë dhe Administratën Tatimore shumë e lehtë të identifikojnë nëse është një duhan me një pikë të shitjes i kontrabanduar për shkak të banderolave”, ka deklaruar ai.