Bisedimet për veriun diktojnë koalicion të ri qeverisës
Nevoja për konsensuse të reja politike në Kosovë mund të lëvizë, ndryshojë apo zgjerojë koalicionin aktual qeverisës, parashohin njohësit e rrethanave politike.
Koalicioni aktual ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës së kryeministrit Hashim Thaçi dhe Aleancës Kosova e Re të afaristit Behxhet Pacolli, konsiderohet si i brishtë dhe pa fuqinë e nevojshme politike për adresimin e çështjeve më të mëdha politike.
Momenti kur Prishtina zyrtare do të ulet për të biseduar me Beogradin për veriun e Kosovës dhe kërkesat ndërkombëtare që paraprakisht të ketë një konsensus të brendshëm, besohet se mund të kenë si rrjedhojë gjetjen e një mënyre për zgjerimin e marrjes së përgjegjësisë nga një spektër më i gjerë politik në vend, sesa ai që përfaqëson sot koalicioni qeverisës.
Analisti politik, Belul Beqaj nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni të ri apo zgjerimi të koalicionit aktual. Kurse pretendimi dhe motivi për ndryshimin eventual të koalicionit, sipas tij, ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësisë nga ana e partisë më të madhe në pushtet me subjektet politike me ndikim në vend.
“Mendoj se pretendimi ka një motiv që nuk është aq shumë i ndërlidhur me kontributin që do të duhej për të dhënë, në rastin konkret p.sh. të përfshirjes së AAK-së në qeveri, e që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve, përmirësimin e pushtetit, sa është motiv për të përfituar nga vet pushteti në njërën anë dhe nëse eventualisht ndodhë, atëherë partia kryesore, PDK-ja, dëshiron që ta ndanë përgjegjësinë me dikë që nesër mund ta sfidon”, thotë Belul Beqaj, raporton REL.
Ndërkohë, Ilir Deda, drejtor i KIPRED-it, thotë se është faktori ndërkombëtar i cili kërkon një konsensus para proceseve të ardhshme politike, siç është adresimi i çështjes së veriut.
Ai numëron dy nga kërkesat bazë të Kosovës para këtij procesi që kërkojnë konsensusin e spektrit politik në Kosovë.
“Ky konsensus kishte me i pas dy të mira: një është platformë e përbashkët e shoqërisë dhe politikës në Kosovë se ku e sheh Kosova në fund veten pas dialogut me Beogradin. Domethënë, kërkesa e Kosovës duhet të jetë anëtarësimi në Kombet e Bashkuara me të drejta të plota si të gjitha shtet tjera dhe nën dy, konsensusi për refuzimin e statusit tjetër, të veçantë për veriun e Kosovës”, thotë Deda.
Në anën tjetër, Belul Beqaj mendon se spektri politik në Kosovë duhet ta kupton se veriu i Kosovës kërkon një zgjidhje.
Andaj, ai nuk e përjashton si mundësi që pozita dhe opozita në Kosovë të formojnë një trup të përbashkët ekspertësh që do të trajtonin çështjet e integritetit territorial të Kosovës, e veriu shihet si një cenim i këtij integriteti.
“Duhet të bëhet një zgjidhje për çështjen e veriut, ngase çimentimi i gjendjes është më i rrezikshëm sesa çdo zgjidhje që gjendet në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në këtë kuptim, më e mundshme ndoshta do të jetë krijimi i një ekipi të ekspertëve profesional me mbështetje konsensuale të gjithë faktorëve relevant, pozitës dhe opozitës, ngase çështja e integritetit territorial dhe funksionalizimi dhe konsolidimi i shtetit sa është pjesë e përgjegjësisë së pushtetit aq duhet të jetë pjesë e përgjegjësisë edhe të opozitës”, thekson Beqaj.
Ndërsa vazhdimisht flitet për një unitet politik në lidhje me ato çështje që konsiderohen si interesa shtetërore të Kosovës, Ilir Deda mendon se megjithatë as pozita dhe as opozita nuk kanë treguar një përkushtim dhe sinqeritet në zotimet e tyre karshi këtyre proceseve, siç mund të jenë bisedimet me Serbinë dhe çështja e veriut.