Kalo te lënda

Arrestohet policët që nuk ndaluan vrasjen e komisarit Tahiraj

Dy policë shqiptarë janë arrestuar për shkak se nuk kishin parandaluar dhe evituar vrasjen e shefit të komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.

Në pranga tashmë janë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani, të cilët në ditën e vrasjes së kryepolicit Tahiraj kanë qenë shoqëruesit e tij, por ata i janë shmangur përfshirjes në këtë ngjarje, edhe pse ishin në detyrë me shefin e tyre.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Rendit në Tiranë ka vlerësuar se dy policët, nuk kanë parandaluar, nuk kanë kryer asnjë veprim para dhe pas ngjarjes, por edhe nuk kanë arrestuar vrasësin Ilir Xhakja.

“Ndaj dy punonjësve të policisë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani rëndon akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, lidhur me mosveprimet e tyre në ngjarjen tragjike të datës 13.09.2012, ku humbi jetën Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj. Të dy punonjësit e policisë që kanë qenë në vendngjarje, duke kryer detyrën së bashku me kryekomisar Tahirajn, megjithëse kanë patur të gjitha mundësitë, nuk kanë kryer asnjë veprim për të parandaluar vrasjen, neutralizuar vrasësin apo për ta kapur dhe arrestuar atë. Mosreagimi apo mosveprimi i punonjësve të policisë së lartpërmendur, bie ndesh me detyrimet ligjore, që parashikon ligji”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë  së Rendit, Leonard Olli.

Lini një koment