Kalo te lënda

Mustafa u keqinterpretua

Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Hykmete Bajram, tha se LDK nuk e ka ndryshuar qëndrimin rreth veriut të vendit.

“Asgjë s’ka ndryshuar. LDK është kundër bisedimeve për veriun”, u shpreh ajo për KTV.

Dje , Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate njoftonte për disa takime të kryetarit të saj, Isa Mustafa, në Londër. Në këtë kontekst u raportua se partia më e madhe opozitare ka ndryshuar qëndrimin e saj karshi dialogut për veriun. Por, në LDK flasin për keqinterpretim të asaj që ka thënë shefi i kësaj partie në takimet me zyrtarët e Qeverisë britanike.

“Kryetari Mustafa tha se bisedimet për veriun duhet të mbështeten në një konsensus politik dhe që të sigurohet se nuk do të preket sovraniteti dhe rregullimi i brendshëm i vendit”, thuhet në këtë komunikatë.

Shefi i Grupit Parlamentare të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se është keqintepretuar ky raportim dhe se qëndrimi i LDK-së është i pandryshuar.

“Me përgjegjësi të plotë u them se nuk ka ndryshim të qëndrimit. LDK-ja është kundër dialogut për veriun dhe sovranitetin e vendit. Nuk mendojmë se është koha që të dialogohet me Serbinë”, ka thënë Beqiri.

Ndryshe, në një kumtesë të dërguar nga LDK, përkitazi me raportimet e mbrëmshme se LDK-ja ka ndryshuar qëndrimin për bisedimet me Serbinë dhe për veriun, thuhet se “LDK-ja nuk e ka ndryshuar në asnjë pikë qëndrimin lidhur me bisedimet; se LDK-ja konsideron se veriu është çështje e brendshme e Kosovës dhe se për këtë çështje nuk duhet të bisedohet me Serbinë; dhe se LDK-ja nuk do të japë konsensus dhe nuk do të jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë”.

“LDK-ja konsideron se mund të bisedohet me qytetarët e Republikës së Kosovës në Veri, për t’ua sqaruar atyre përfitimet që sjell sundimi i rendit dhe i ligjit dhe funksionimi i institucioneve të Kosovës edhe atje. Ky është qëndrimi që ka shprehur edhe kryetari Mustafa në Londër”, thuhet në kumtesë.

Lini një koment