Liderët braktisin Kosovën, shkelin ligjin
Shteti i Kosovës do të mbetet së paku një ditë pa asnjërin nga tre udhëheqësit kryesorë: presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Jakup Krasniqi.
Dy të parët pritet të udhëtojnë të enjten (sot) për në SHBA, të shoqëruar nga një “batalion” prej mbi 30 zyrtarësh, ndërsa i treti veç është duke realizuar një vizitë në Egjipt dhe nuk do të kthehet në Kosovë para datës 21. Lëshimi i vendit përnjëherësh nga kjo treshe përbën shkelje të Ligjit për protokollin e shtetit, shkruan “Koha Ditore”. Neni 19, pika 4 e këtij ligji e përcakton qartë se tre liderët duhet t’i bashkërendojnë vizitat e tyre për ta evituar mundësinë e lënies së shtetit pa udhëheqje.
“Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, thuhet në ligj.