Kalo te lënda

Jakup Krasniqi i ka fajet për shtyrjen e debatit për privatizimin

Janë bërë më shumë se një muaj prej kur shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri ka kërkuar debat parlamentar për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Megjithëse është raportuar në media që debati për privatizimin që u shty të hënën, do të zhvillohet të enjten, një gjë e tillë nuk ndodhi. Në bazë të rregullores së punës së Kuvendit, çdo seance i paraprinë mbledhja e Kryesisë.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i tha Radio Kosovës se edhe për datën e seancës për privatizimin, duhet të vendos Kryesia e Kuvendit.

Për zvarritjen e kësaj seance, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, fajësoi kreun e Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili bashkë me nënkryetarët Sabri Hamiti dhe Enis Kervan ndodhet në vizitë zyrtare në Egjipt.

“Krejt kjo ka mbetur peng i një bojkotimi nga ana e krerëve të pozitës të cilët mbajnë pozita udhëheqëse në Kuvendin e Kosovës dhe është njëfarë bojkotimi deri diku i koordinuar i këtyre figurave politike që të mos ketë seancë dhe mos të diskutohet për privatizimin në Kosovë”, tha Konjufca për Radio Kosovën.

Sipas tij, procesi i privatizimit është njëri prej proceseve, përmes së cilit ka ardhur korrupsioni më i madh i partisë në pushtet, andaj edhe nuk ka interes nga ana e tyre që të diskutohet për këtë çështje në Kuvend.

Në seancën e së hënës, edhe subjektet tjera opozitare kundërshtuan shtyrjen e debatit për privatizimin, të kërkuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së për shkak të mungesës së ministrave të kabinetit qeveritar.

Lini një koment