Kalo te lënda

Dialogu,Ashton do të takojë Clintonin, Thaçin e Nikoliqin

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton do të zhvillojë takime me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetarin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq për dialogun Kosovë-Serbi.

Njoftimi për këtë bëhet i ditur nga agjencia serbe e lajmeve “Beta” e cila thirret në burime të BE-së, që dëshirojnë të mbesin anonime, njofton RTK.

Sipas të njëjtave burime përfaqësuesja e lartë e BE, Catherine Ashton edhe deri më tani ka zhvilluar kontakte me zyrtarë të Serbisë dhe Kosovës dhe ata amerikanë për zgjidhjen e problemeve në veri.

Zyrtari i lartë evropian citohet t’i ketë thënë agjencisë “Beta” se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton nuk bënte dallim mes dialogut teknik dhe atij të nivelit të lartë politik pasi ky dialog edhe ashtu deri më tani ishte zhvilluar nën patronazhin e saj.

Mediat serbe shkruajnë se ende nuk është e qartë mënyra dhe forma e dialogut politik për të cilin po flitet këtyre ditëve. Megjithatë mediat nënvizojnë faktin se zyrtarët evropianë dhe amerikanë konsiderojnë se kryeministri Hashim Thaçi është personi më i duhur për të takuar zyrtarët e lartë të Serbisë në mënyrë që dialogu të ketë sukses.

Burime në Bruksel thonë se po pritet që të përfundojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, që të dihet rrjedha e mëtejme lidhur me dialogun e pritur dhe të përfolur Kosovë-Serbi.

Lini një koment