Asnjë Mercedes për Qeverinë
Me 730 mijë euro institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës kanë blerë sivjet vetura të markave të ndryshme, mirëpo asnjë prej tyre nuk është Mercedes.
Drejtues të gjigantit gjerman të automobilave “Daimler” patën konfirmuar në fillim të këtij viti për gazetën “Zëri” se kompanitë private (përfaqësuesit e autorizuar) nuk do të mund t’i shesin vetura Mercedes nërpërmjet tenderëve publikë institucioneve të Kosovës prej janarit 2012, gjë që tanimë po ndodh.
Sivjet nuk u është shitur asnjë veturë Mercedes institucioneve kosovare dhe në mungesë të tyre janë blerë vetura të markave tjera, si: Wolksvagen, Peugeot, KIA, Ford etj.
Një vendim të tillë “baba” i veturave simbol të kualitetit dhe qëndrueshmërisë e ka marrë për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit në Kosovë, gjë që e potencon edhe “Transparency International” në raportet e publikuara.
Sipas kësaj të fundit, shteti më i ri në Evropë radhitetit në vendin e 112-të, që do të thotë se konsiderohet si një vend me nivel të lartë të korrupsionit, duke u vendosur kështu në një grup me shtetet si: Algjeria, Egjipti, Moldavia, Senegali dhe Vietnami.
Zyrtarët e kompanisë “Daimler Ag” kanë bërë të ditur se kanë vendosur me Kosovën të bëjnë biznes vetëm si transaksione të drejtpërdrejta, gjë që, sipas tij, garanton një shkallë të lartë të transparencës në proceset biznesore.
“Ne kemi vendosur të bëjmë biznes me institucionet qeveritare dhe organizatat ndërkombëtare vetëm si transaksione të drejtpërdrejta me një numër vendesh, ku përfshihet edhe Kosova. Kjo na garanton një shkallë të lartë të transparencës në proceset biznesore”, ka theksuar më herët për gazetën “Zëri” Ute West von Vellberg, menaxher i lartë për komunikime, integritet dhe çështje ligjore në “Daimler Ag” në Shtutgard të Gjermanisë.
Zgjim Mita nga autosalloni “Mita”, diler i autorizuar i Mercedesit në Prishtinë, konfirmon për “Zërin” se gjatë këtij viti nuk e kanë shitur asnjë veturë Mercedes për institucionet e Kosovës.“Nuk e kemi shitur asnjë Mercedes sivjet për institucionet”, shprehet Mita.
Sipas tij, në disa raste kanë kërkuar leje speciale nga kompania “Daimler” në Gjermani për ta aprovuar shitjen e veturave, mirëpo leja është vonuar dhe nuk kanë mundur të konkurrojnë në tenderë, pasi që afati është mbyllur.
Në pamundësi të shitjes së veturave Mercedes për institucionet, autosalloni “Mita” ka filluar të shesë edhe vetura franceze Renault, siç thonë drejtuesit, për ta rritur qarkullimin financiar të kompanisë.
Po ashtu, sipas tij, profili i kompanisë “Mita” është t’i ketë 2 brende të automjeteve, një të shtrenjtë, siç është Mercedes dhe një më të lirë – Renault.
Drejtori ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë për “Zërin” se mosshitja e veturave Mercedes për institucionet e Kosovës është vazhdimësi e imazhit negativ që ka vendi përballë kompanive serioze.
“Largimi i Mercedesit që të marrë pjesë në tenderët publikë në Kosovë për shkak të korrupsionit është tregues i pastër se çfarë imazhi kemi karshi investitorëve të huaj”, shprehet Abdixhiku, duke shtuar se që 13 vjet si pasojë e shkallës së lartë të korrupsionit nuk kemi pasur asnjë investitorë serioz në Kosovë.