As Albin Kurti s’i bashkon dot shqiptarët në Mal të Zi!
Shqiptarët në Malin e Zi përsëri do kenë shumë mundësi zgjedhjeje në Parlamentaret e këtij viti pasi që politikanët e tyre dështuan të formojnë një koalicion të gjerë. Të mërkurën në mesnatë ka përfunduar afati i dorëzimit të listave zgjedhore dhe nëntë subjekte shqiptare do të paraqiten në katër kolona.
Në një kolonë është “Koalicioni Shqiptar” i përbërë nga partia më e vjetër shqiptare në vend Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LDnëMZ) e udhëhequr nga Mehmet Bardhi, Partia Demokratike (PD) e udhëhequr nga Fatmir Gjeka, dhe Alternativa Shqiptare (ASH) e udhëhequr nga Gjergj Camaj. Dy të fundit kanë hyrë në koalicion me njëra tjetrën kohë më parë kurse LDnëMZ u është bashkëngjitur para tre ditëve. Në krye të listës do të jetë Fatmir Gjeka, kurse mandati, po që se fitohet, do të ndahet nga Gjeka dhe një përfaqësues i LDnëMZ.
Kolona tjetër përbëhet nga partia Forca e Re Demokratike (Forca) e udhëhequr nga Nazif Cungu, Iniciativa Qytetare (IQ) e udhëhequr nga Vasel Sinishtaj dhe Lëvizja Perspektiva e udhëhequr nga Amir Holli, e të cilët bashkë formojnë “Koalicionin për Bashkim”. Ky koalicion e konsideron të garantuar një vend kurse shpreson edhe në të dytin. Në krye të listës është deputeti i Forcës, Genci Nimanbegu i përcjellur nga ai i Iniciativës Qytetare, Vasel Sinishtaj.
Kolona e tretë është ajo e Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) e udhëhequr nga Mehmet Zenka dhe e Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD) e udhëhequr nga Ali Rexha. Edhe ky koalicion e numëron të fituar një vënd në Kuvendin e Malit të Zi.
Kolonën e fundit, e cila u shfaq si surprizë për politikën shqiptare në Mal të Zi dhe elektoratin e saj, është e ka e sapoformuara Aleanca Rinore Shqiptare (ARSH). Këtij subjekti të ri politik i cili del i vetëm në zgjedhje i prinë Anton Lulgjuraj, thuhet në faqen në Facebook: Shqiptarët në Malin e Zi.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me bashkëpunëtorët e tij, provuan që të bashkojnë politikën shqiptare në këtë vit feste, por nuk ia dolën. Kurti vizitoi Ulqinin disa herë dhe këtë e bëri edhe të mërkurën, ku zhvilloi një takim me gjithë politikanët shqiptarë.
“Sipas informacioneve nga pjesëmarrësit e takimit, ishte Mehmet Zenka, kryetari i UDSH, ai i cili i prishi planet e Kurtit. Thuhet që Zenka ka qëndruar në takim shumë shkurt dhe partitë tjera nuk kanë arritur të bien dakord me të rreth kërkesës për të qenë bartës i listës, për të mos e ndarë mandatin me askë tjetër dhe rreth hyrjes në koalicion me partinë qeverisëse pas zgjedhjeve pa kushte dhe pa qëndrim të përbashkët. Kështu dështoi koalicioni gjithëpërfshirës”.
Kurti nuk u ndal, por shkoi edhe më tej duke provuar të bashkojë Koalicionin Shqiptar me Koalicionin për Bashkim, por edhe këtu ka hasur në rezistencë. Sipas të pranishmëve ishte Fatmir Gjeka i Partisë Demokratike i cili dëshironte të jetë bartës i listës, gjë me të cilën nuk pajtohej Forca.
Mali i Zi ka 625 mijë banorë, prej tyre rreth 5 për qind janë shqiptarë. Zgjedhjet Parlamentare në Mal të Zi do të mbahen më 14 tetor dhe në garë gjithsejt janë 13 lista. Për marrjen e një mandati nevojiten nga 3500 deri në 4000 vota.