Ahmeti: Shqiptarët ndajnë dhembjen me popullin amerikan!
Në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, të enjten ka nënshkruar librin e ngushëllimeve për viktimat e sulmit në Bengazi të Libisë ku humbi jetën, ambasadori amerikan, Christopher Stevens si dhe tre punëtorë të tjerë të ambasadës.
Përveç shprehjes së ngushëllimeve në librin e hapur të ngushëllimeve së Ambasadës Amerikane, Ahmeti takoi edhe ambasadorin amerikan në Maqedoni, Paul Wohlers, si dhe zëvendës/ambasadorin Brian Aggeler, të cilëve personalisht ua përcolli solidarizimin e popullit shqiptar me dhimbjen amerikane.
Kryetari Ahmeti shprehu ngushëllimet më të sinqerta për presidentin Barack Obama, Departamentin e Shtetit dhe popullin amerikan. Ai e siguroi ambasadorin Wohlers se populli shqiptar solidarizohet me dhimbjen e popullit amerikan, si dhe i bashkangjitet në përpjekjet e tij për të promovuar demokracinë, tolerancën, paqën dhe mirëkuptimin, raporton Ina.
“Sulmi mbi Ambasadorin Stevens është sulm ndaj lirisë dhe ndaj përpjekjeve për të promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut, paqën, dialogun, mirëkuptimin dhe jetën e përbashkët. Shqiptarët janë të indinjuar thellë me këtë akt dhe qëndrojnë pranë popullit amerikan duke ndarë dhembjen në këto çaste të vështira”, shënoi Ahmeti në librin e ngushëllimeve.
Ambasadori Wohlers shprehu falëmnderime të thella ndaj kryetarit Ahmeti dhe bashkëpunëtorëve të tij për kujdesin dhe shprehjen e ngushëllimeve për humbjen e kolegut të tij në Libi. /Telegraf