Kalo te lënda

Adelina Ismaili refuzon ftesën për jurinë e “X Factor Albania”

Adelina Ismaili nuk do të jetë pjesë e jurisë së “X Factor Albania 2”. Ky është prononcimi zyrtar që vjen nga kompania që menaxhon këngëtaren e famshme, pas thashethemeve të shumta që u përhapën së fundmi për një pjesëmarrje të mundshme të divës shqiptare në këtë talent show. Përfaqësuesja e saj e PR, Rudina Idrizaj ka saktësuar dje për të gjitha mediat dhe portalet online se Adelina Ismaili e ka refuzuar ftesën e bërë nga produksioni i “X Factor Albania”. “Si zëdhënëse zyrtare e Adelina Ismaili-t, e përsëris: Adelina Ismaili ka refuzuar pjesëmarrjen në jurinë e “X Factor Albania 2” për arsye profesionale dhe personale. Lusim mediumet të fillojnë të përfillin, të kuptojnë rolin e zëdhënëses dhe të informohen para deklarimeve të “fuqishme” posaçërisht kur janë kryekëput gënjeshtër…”, – ka thënë përmes një deklarate zëdhënësja e Adelinës. Mohimi i këtij lajmi është bërë sakaq edhe përmes faqes zyrtare të këngëtares në Facebook.

Hiti i verës

Tani që vera mbaroi mund të themi pa frikë se gjatë stinës së nxehtë, Adelina Ismaili vulosi një prej sukseseve të saj më të mëdha. Kënga “Ku ma ke” u kthye sa hap e mbyll sytë në një hit veror dhe këtë e dëshmojnë jo vetëm klikimet në internet, që kalojnë shifrën 2 milionë, por edhe koncertet e mbipopulluara të Adelinës, në të cilat asaj pak i është dashur të këndojë sepse pjesën tjetër të këngës e ka vazhduar publiku i pranishëm në këto aktivitete. Bashkëpunimi i saj i parë me Ardit Gjebrenë siç u pa qëlloi në shenjë, por ndërkohë duhet thënë që një pikë shumë e fortë e këtij suksesi ka qenë edhe klipi i këngës, në të cilin Adelina shfaqej në topformë.

Pushimet

Sakaq, vetëm 2 javë më parë, në faqet e suplementit të së shtunës në “Gazeta Shqiptare” është publikuar lajmi për pushimet e këngëtares përkrah të dashurit të saj të zemrës, Valit. Siç kemi mësuar, ato pushime nuk kanë përfunduar ende sepse Adelinës pas problemeve shëndetësore që ka kaluar së fundmi, i duhet pak kohë për të marrë veten, në mënyrë që të fillojë siç duhet sezonin e ri, në të cilin priten gjithashtu shumë surpriza.

Lini një koment