Vdes një paciente nga Virusi i Nilit Perëndimor
Një paciente kosovare, e shtrirë në Klinikën Infektive në Prishtinë, ka vdekur pasi ishte prekur nga Virusi i Nilit Perëndimor (VNP). Kështu kanë bërë të ditur të mërkurën zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) dhe të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
”Në Laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, sot më datë 19 shtator 2012, në ora 12.30 është detektuar prania e antitrupave të klasës IgM kundër virusit të Nilit Perëndimor te pacientja N. H., e hospitalizuar më 6 shtator 2012 në Klinikën Infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. E njëjta është e transferuar nga Klinika e Neurologjisë me gjendje të rëndë klinike, pa vetëdije, tahikardike, temperaturë 38.4 C, e intoksikuar. Ajo kishte vuajtur disa vite nga hipertensioni. Gjatë trajtimit të saj në QKUK janë ndërmarrë të gjitha masat protokollare, por pacientja fatkeqësisht ka përfunduar me vdekje më 14 shtator 2012”, ka bërë të ditur Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së.
Ai dhe infektologia Teuta Doda-Ejupi kanë bërë të ditur se janë edhe dy raste të dyshimta në infeksion me Virusin e Nilit Perëndimor me përfundim fatal, të cilat kanë qenë të hospitalizuara në Klinikën Infektive të QKUK, por në aspektin diagnostik nuk është arritur të jepet rezultati përfundimtar për arsye të pamundësisë së marrjes së mostrave adekuate.
Instituti Kombëtar është në vazhdimësi në kontakt me Klinikën Infektive dhe është mobilizuar në tërë territorin e vendit dhe ka shtuar masat parandaluese.Duke pasur parasysh rrezikshmërinë dhe mundësinë e përhapjes se virusit të Nilit Perëndimor, IKSHP ka aktivizuar ekipet e epidemiologjisë të përcjellin situatën epidemiologjike dhe entomologjike në tërë territorin e vendit.
Në këtë konferencë, iu bë thirrje qytetarëve për kujdes dhe se nuk ka vend për panik, sepse Virusi i Nilit Perëndimor përcillet nëpërmjet thumbimit të mushkonjës së infektuar, e jo nga njeriu në njeri. U bë e ditur po ashtu se IKSHP është në kontakte të vazhdueshme me zyrën e OBSH-së në Kosovë, e përmes saj edhe me Qendrën e OBSH-së në Kopenhagë dhe Gjenevë për të monitoruar situatën epidemiologjike të përhapjes së sëmundjes. Në rast të ndryshimit të situatës epidemiologjike me VNP do të informoheni në detaje.
Ethet e Nilit Perëndimor zhvillohen në 20 për qind të njerëzve të infektuar me VNP. Simptomat përfshijnë temperaturë, dhembje koke, lodhje, dhembje të trupit, të përziera, të vjella, herë pas herë skuqje të lëkurës dhe enjtje të gjëndrrave limfatike. /Telegrafi/