Strategji për Menaxhimin e Integruar të Kufirit
Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të 92-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fushat e përgjegjësive të saj ligjore.
Në mbledhje është miratuar Udhëzimi administrativ për funksionalizimin, detyrat dhe përgjegjësitë e qendrës kombëtare për menaxhim kufitar.Qendra kombëtare për menaxhim kufitar do të jetë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe do të ketë në përbërjen e saj zyrtarë të Policisë Kufitare, të Doganës së Kosovës, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, si dhe përfaqësues të agjencive tjera shtetërore.
Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufirit Shtetëror 2012-2017. Strategjia ka tri shtylla: bashkëpunimi brenda agjencisë, bashkëpunimi ndërmjet agjencioneve të ndryshme shtetërore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, thuhet në kumtesën për medie të Kryeministrisë .
Strategjia Kombëtare Kundër Drogave dhe Plani i Veprimit 2012-2017 që është miratuar sot nga në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka për qëllim ndërtimin e mekanizmit me qëllim avancimin e luftës kundër drogave dhe dukurive negative, përmes rritjes së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që janë përgjegjëse për luftën kundër drogave.
Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë Kombëtare Kundër Terrorizmit dhe Planit të Veprimit 2012-017. Është miratuar edhe Strategjia Kombëtare Kundër Krimit të Organizuar dhe Planit të Veprimit 2012-2017.
Është miratuar Vendimi për emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës. Në bazë të vlerësimit dhe rezultateve të treguar gjatë intervistimit të kandidatëve, kandidati Shasivar Haxhiaj, është emëruar sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës./standardi.info