LDK: Keqpërdorimet në RTK alarmante
Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me të dhënat që kanë qarkulluar ditëve të fundit, të cilat dëshmojnë se keqmenaxhimi i parasë së taksapaguesve të vendit nga drejtuesit e Radiotelevizionit të Kosovës ka marrë përmasa të paimagjinueshme. Ndaj gjendjes së krijuar në televizionin publik ka reaguar edhe Sindikata e Pavarur e RTK-së.
Partia më e madhe opozitare në vend, vlerëson se përveç pagave astronomike që marrin, drejtuesit e RTK-së po e shpërblejnë vetveten edhe me mëditje të stërfryera për udhëtimet jashtë vendit, si dhe me punësimin dhe “angazhimin” e familjarëve të tyre në projekte të cilat buxhetit të RTK-së po i kushtojnë mijëra euro.
“RTK-ja është mbërthyer në kthetrat e nepotizmit. Pothuajse secili drejtues e ka rehatuar nga një afërm të vetin në RTK. Kështu, ky institucion, i cili do të duhej të ishte dritarja kryesore e informimit të qytetarëve të vendit, për fat të keq po bëhet institucion i keqpërdorur”, thotë LDK përmes një kumtese për medie .
Ë tej thuhet se nga të dhënat del se drejtues të caktuar të RTK-së kanë angazhuar në projekte tepër të kushtueshme të afërmit e tyre, madje edhe fëmijët e tyre, dhe po i shpërblejnë ata me shuma marramendëse parash për projekte minore dhe për emisione që nuk e kanë ekskluzivitetin e RTK-së.
Për gjendjen e krijuar në RTK, Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron përgjegjëse të drejtpërdrejtë Qeverinë e Kosovës, e cila ka instaluar aty njerëz të dëgjueshëm dhe jokompetentë.
“Dëgjueshmëria ndaj pushtetit qendror u ka krijuar komoditet udhëheqësve të sotëm të RTK-së që të bëjnë çka të duan me pasurinë e këtij mediumi”.
LDK-ja konsideron se është koha e fundit që institucionet përgjegjëse t’i zbardhin të gjithë dyshimet lidhur me parregullsitë e shumta financiare në RTK – për të cilat ekzistojnë dëshmi flagrante – sepse qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë taksa për të pasur një televizion të tyrin profesional, e jo për t’i mbushur xhepat e një grupi njerëzish që sot ndodhet në krye të këtij institucioni.
Ndaj gjendjes së krijuar në RTK ka reaguar edhe Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të RTK-së, e rilaka kërkuar nga Bordi i Drejtorëve me kërkesën që urgjentisht të kërkojë llogaridhënie nga menaxhmenti i RTK-së.
“Sindikata e RTK-së në vazhdimësi, në reagimet e saj publike, ka ngritur shqetësime për keqmenaxhim me buxhetin e RTK-së, madje duke kërkuar edhe hetime nga themeluesi i RTK-së Kuvendi i Kosovës.
I bëjmë me dije themeluesit të RTK-së, Kuvendit të Kosovës, se është shansi i fundit që të pengohet rrënimi përfundimtar i mediumit të vetëm publik në Kosovë. Një reagim konkret dhe i menjëhershëm nga ky institucion është më se i nevojshëm”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së.