Kalo te lënda

Kurteshi: Në Kosovë ka dështuar drejtësia

Në Kosovë ka shumë shkelje të të drejtave të njeriut, derisa numri më i madh i shkeljeve vjen pikërisht nga institucionet shtetërore. Numri më i madh i ankesave të qytetarëve vazhdon të jetë i drejtuar kundër gjyqësorit të Kosovës, derisa konsiderohet se shteti ka dështuar për të vënë drejtësi në vend. Kështu u tha në tryezën me temën “Gjendja e të Drejtave të Njeriut  për vitin 2011”, organizuar nga Avokati i Popullit dhe i përkrahur nga misioni i OSBE-së në Kosovë.

Avokati i popullit, Sami Kurteshi, ka shpalosur të gjeturat dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Ai  ka konstatuar se të drejtat e njeriut shkelen në vazhdimësi nga institucionet e Republikës se Kosovës dhe nga të gjitha agjencitë që veprojnë me autorizim të tyre, dhe sipas tij, tek qytetarët e Kosovës vërehet një humbje e besimit ndaj organeve të drejtësisë.

Për më tepër,  Kurteshi ka shtuar se mjerisht në Republikën Kosovës gjendja e të drejtave dhe lirive te njeriut lë shumë për të dëshiruar. Ai shtoi se të drejtat dhe liritë themelore  te njeriut dhe drejtësia ligjore, fatkeqësisht në Kosovë cenohen në vazhdimësi dhe vazhdon të jenë të brishta në çdo fushë të jetës.

Kurteshi ka pohuar se edhe përkundër rekomandimeve të institucionit që drejton ai për përmirësimin e kësaj gjendje, ato nuk merren parasysh asnjëherë, dhe kjo sipas tij, tregon se ata persona që punojnë në këto institucione, e ndjejnë veten të fortë dhe stabil në pozitat e tyre.

Shqetësuese, sipas avokatit të popullit mbetet edhe tendenca e disa institucioneve për minimizimin e punës dhe rolit të avokatit të popullit, dhe kjo sipas Kurteshit përcillet me një injorancë nga institucionet ndaj institucionit të Avokatit të Popullit.

Sipas tij, numri më i madh i ankesave të qytetarëve për shkelje të të drejtave të tyre i adresohet sistemit gjyqësor të Kosovës.

“Numri më i madh i të gjitha këtyre rasteve vazhdon të jetë i drejtuar kundër gjyqësorit, në të gjitha nivelet . Ankesat kanë të bëjnë kryesisht me zvarritjen e proceseve gjyqësore apo vonimin e drejtësisë, me moszbatimin e vendimeve  të plotfuqishme të gjykatave ose ndryshe është dështim i shtetit për të vënë  drejtësi në vend. Kemi edhe parashkrimin e rasteve, parashkrimin e lëndëve edhe kjo është gjëja me e rëndësishme që e shohim si institucion, sepse kjo do të thotë, as më pak e as më shumë, mohim i drejtësisë nga shteti, asgjë tjetër”, ka thënë Kurteshi.

Por këto konstatime të Avokatit të Popullit të nxjerra nga raporti vjetor, nuk i kanë pëlqyer aspak kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, i cili pranoi se ka vonesa në shqyrtimin e lëndëve, mirëpo jo edhe me atë që thotë avokati, se gjyqësori po nxjerrë vendime të falsifikuara.

Mirëpo, Kurteshi ato që i tha në tryezë ia dëshmoi kryetarit të Gjykatës Supreme edhe me raste faktike. Ai tha se në këtë rast, Hasani po e merr fajin e dikujt tjetër.

Sipas Kurteshit, ka disa Gjykata që nuk dëshirojnë të dëgjojnë për gjyqin.

“Por një vendim gjyqësor ku gjykata e shpall personin të vdekur, mandej ne kemi dyshime për atë gjykatës dhe ne nuk kemi parë gjykatës që i ka marr 10 vjet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkelje të drejtësisë dhe për shpallje të njeriut të vdekur, ky është një rast. Lufta më e madhe e Avokatit të Popullit është forcimi i sistemit të gjyqësorit në Kosovë. Ne mund të mos kemi edhe Qeveri, por nuk mund të lejojmë që të mos kemi gjyq të drejtë, të qartë dhe të vendosur”, ka thënë Kurteshi.

Raporti i paraqitur nga avokati i Popullit është vlerësuar edhe nga shoqëritë civile dhe organizatat e tjera pjesëmarrëse në tryezën e sotme.

Ndryshe, sipas statistikave të Avokatit të Popullit, këtij institucioni, gjatë vitit 2011 qytetarët i janë drejtuar me një mijë e 453 ankesa që do të thotë 220 ankesa më shumë se sa vitin paraprak. /Telegrafi/

Lini një koment