Kalo te lënda

Egjipti, keqardhje për vonesën e njohjes së Kosovës!

 Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarët Sabri Hamiti dhe Enis Kervan, në kuadër të vizitës zyrtare në Egjipt, është pritur në takime të ndara nga kryetari i Këshillit Shura (Dhoma e Lartë) të Egjiptit, Ahmed Fahmy dhe personalitete të tjera egjiptiane.

Duke i uruar mirëseardhje kryetarit Krasniqi dhe delegacionit që e shoqëron, Fahmy theksoi se kjo vizitë është një mundësi e mirë për tu njohur me zhvillimet në të dyja vendet dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve respektive.

Kryetari Fahmy tha se Egjipti ende nuk e ka njohur Kosovën por, sipas tij, populli atë e njeh dhe shfaqi shpresën që së shpejti do të merret vendimi për njohje nga ana e qeverisë së re egjiptiane. Ai tha se vetë kjo vizitë dhe pritja zyrtare, e dëshmon këtë.

Kryetari Krasniqi, nga ana e tij, duke e falënderuar zotin Fahmy për mikpritjen, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen egjiptiane për Republikën e Kosovës.

Krasniqi tha se Kosova përcjell me vëmendje të arriturat në Egjipt pas ndryshimeve dhe inkurajoi institucionet dhe popullin egjiptian për përpjekjet për ta përfunduar tranzicionin demokratik, duke besuar kështu që Egjipti do ta rikthejë rolin që e ka pasur si vend kyç i botës arabe dhe myslimane.

Duke folur për procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, kryetari Krasniqi shtroi nevojën e njohjes edhe nga ana e Egjiptit. “Jemi të bindur se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Egjipti, përveç që i hap rrugë thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve tanë, do të ndikojë në njohjen e Kosovës edhe nga shtetet e tjera”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi. /Telegrafi/

Delegacioni parlamentar i Kosovës, i udhëhequr nga kryetar i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili po qëndron për vizitë në Egjipt është takuar me ministrin për Çështje Parlamentare të Republikës së Egjiptit, Muhamed Mahsub. Temë kryesore e takimit ishte njohja e Kosovës nga Egjipti, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Ministri për çështje parlamentare të Egjiptit, Mahsub ka shprehur keqardhjen për vonesën e njohjes së shtetit të Kosovës. Por krahas kësaj ai ka kërkuar edhe mirëkuptim për shkak të gjendjes aktuale në Egjipt, raporton RTK.

Delegacioni është takuar edhe me përfaqësues të Komisionit parlamentar për marrëdhënie me jashtë dhe atë për çështje të financave. Përfaqësues të këtyre komisioneve, vizitën zyrtare të delegacionit parlamentar të Kosovës e cilësuan si njohje të Kosovës. Në takime është biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në aspektin parlamentar, tregtar, atë të zhvillimit ekonomik, kulturor etj.

Pas revolucionit të 25 janarit, kjo është hera e parë që një delegacioni parlamentar pritet zyrtarisht nga parlamenti i Egjiptit. Delegacioni parlamentar i Kosovës do të ketë edhe takime të tjera me zyrtar të lartë të parlamentit derisa të enjten do të ketë takime me kryetar të partive politike. /Telegrafi/

Lini një koment