Clinton nuk vjen në Kosovë më 4 tetor
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilary Clinton, nuk do ta vizitojë Kosovën, ashtu siç u përfol gjatë këtyre ditëve. KTV merr vesh se Clinton nuk do të vij në Kosovë për shkakun se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në prag të zgjedhjeve presidenciale.
Këto ditë është folur se Clinton mund të vizitojë Kosovën për të marrë pjesë në samitin ndërkombëtar të gruas i cili organizohet nga presidenca e Kosovës. Zyrtarë të presidencës kanë thënë se Clinton nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërkohë që deri tash shumë gra të fuqishme nga shtetet të ndryshme kanë konfirmuar ardhjen e tyre në Kosovë.
Samiti me temën “Partneriteti për Ndryshim- Fuqizimi i Gruas”, pritet të mbledh lidere, avokate, përfaqësuese të shoqërisë civile, të biznesit dhe medieve me ç’rast do të diskutohet rreth avancimit të çështjeve të grave. Përmes këtij samiti, synohet krijimi i një platforme të përbashkët të avancimit të çështjeve gjinore në të gjitha fushat e jetës përtej kufijve, dallimeve etnike, racore apo fetare.
Në Samit do të marrin pjesë rreth 200 pjesëmarrëse nga Kosova, rajoni, Evropa, Lindja e Mesme, Azia dhe Amerika. Në hapjen zyrtare më 4 tetor ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright do të mbajë një fjalë për rëndësinë e gruas si faktor kyç në zhvillimin e një shteti./Indeksonline/.