Kalo te lënda

A po e presin Haradinajn për koalicionin PDK-AAK?

Sado që përmendet çdo ditë në media mundësia e një koalicioni të ri mes PDK-së dhe AAK-së, zyrtarët e të dyja këtyre subjekteve e mohojnë një gjë të tillë.

Zyrtarët e PDK-së, thonë se kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë në strukturat e partisë, ndërsa ata të AAK-së, thonë se pa kthimin e liderit Ramush Haradinaj nuk ka çka të flitet në këtë drejtim. Partia Demokratike e Kosovës është për zgjerim të koalicionit qeverisës, por jo për koalicion të ri, nga i cili do të përjashtohej partneri aktual, Koalicioni për Kosovë të Re.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha për Radio Kosovën se koalicioni është stabil dhe institucionet po i kryejnë obligimet e veta, ndërsa zgjerimi i koalicionit është i mirëseardhur.  Ai mohoi të jetë diskutuar në strukturat e PDK-së mundësia e një koalicioni të ri me AAK-në, por pranoi se mundësia e zgjerimit të koalicionit është përmendur.
“Në strukturat e PDK-së nuk është diskutuar asnjëherë për ndonjë koalicion të ri të mundshëm. Por është diskutuar edhe është shumë e qartë se e mirëpresim, mbështetjen dhe marrjen e përgjegjësive nga subjektet tjera politike karshi procesit nëpër të cilin po kalon vendi ynë”, tha ai.
Ndërkohë, kryesia e AAK-së pritet të mblidhet nesër, por sipas anëtares së kësaj kryesie, Donika Kadaj – Bujupi, asnjë atraktivitet në këtë drejtim nuk do të ketë nga kjo mbledhje. “Nesër AAK-ja do të mblidhet në një takim të rregullt, fillojmë sesionin vjeshtor të takimeve të kryesisë, takim i rregullt, rutinor, dhe nuk ka asgjë të re që do të jetë atraktive”, tha Kadaj-Bujupi për Radio Kosovën.
Ani pse mohon të jetë në agjendën e AAK-së, mundësia e koalicionit me PDK-në, ajo tha se gjithë angazhimi i AAK-së do të shkojë në drejtim të rikthimit të Ramush Haradinajt në postin e kryeministrit. Ndryshe, ndryshimet në Qeveri, i ka kërkuar ditë më parë vetë deputeti i PDK-së, Halit Krasniqi. Në seancën e parë pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, ai kërkoi rifresikimin e qeverisë, ndërsa në seancën e fundit kërkoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.
Sidoqoftë, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, thotë se këto janë qëndrime individuale dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me qëndrimet e Grupin Parlamentar apo me qëndrimet e PDK-së.

Lini një koment