Rrahet hetuesi i Agjencisë Kundër Korrupsionit
Është rrahur hetuesi E.D i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK). Sulmi ka ndodhur të shtunën mbrëma rreth orës 20:00, nga tre persona të panjohur tek semaforët prapa komunës së Prishtinës. Rastin e rrahjes e ka konfirmuar për Portalin ORAinfo, drejtori i AKK-së, Hasan Preteni.
“Është e vërtetë që është sulmuar të shtunën në mbrëmje një prej hetuesve më me përvojë. Sulmi është bërë nga tre persona të panjohur. Hetuesi i Agjencisë është sulmuar në kokë dhe për këtë ka edhe vërtetimin nga mjeku”, është shprehur Preteni. Ai ka thënë se rastet e tilla nuk do të ndikojnë asnjëherë që zyrtarët e AKK-së të zmbrapsën nga misioni që kanë.
“Është një punë me një risk të madh. Nuk ka lëkundje të këtij zyrtari nga misioni i tij, për të hetuar çdo keqpërdorim të mundshëm të parasë publike”, ka thënë drejtori i AKK-së, duke shtuar se policia është duke punuar për zbardhjen e rastit.
Preteni ka thënë se ky është sulmi i parë fizik që është bërë ndaj ndonjë zyrtari të AKK-së. “Ka ndodhur edhe në vitin 2007 një sulm verbal ndaj një punëtori të Agjencisë, mirëpo ky është sulmi i parë fizik që ka ndodh ndaj një zyrtari të AKK-së”. /Telegrafi/