Reagon Pacolli: Kush është Krasniqi?
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj kërkesës së deputetit të PDK-së, Halit Krasniqi, i cili ka kërkuar dorëheqjen e tij. Pacolli ka thënë se nuk e njeh deputetin Krasniqi, por që kërkesën e tij për dorëheqje do ta shqyrtojë.
Ndërkaq, Pacolli ka thënë se nga televizioni ka marrë vesh për deputetin Krasniqi, i cili sot gjatë një seance në Parlamentin e Kosovës kërkoj dorëheqjen e ekzekutivit për shkak të aferës së Grandit.
Ndryshe, Pacolli ditë më parë ka thënë se ish ministri i kulturës Astrit Haraqija kishte kërkuar nga ai 3.6 milionë euro që të ai të mund të privatizojë Grandin, raporton Koha.
Kjo deklaratë e Pacollit i ishte dhënë prokurorisë së Kosovës e cila po merret me hetimet për vetëvrasjen e Dino Asanaj.
Bazuar në zhvillimet e fundit rreth përfshirjes së zyrtarëve të qeverisë në afera që dyshohen për korrupsion, deputeti i PDK-së Halit Krasniqi, në seancën e djeshme të Kuvendit ii bëri thirrje kryeministrit të vendit që të mendoj për ndryshime serioze në koalicionin qeverisës.
Ai kërkoi riformatim të Qeverisë me mundësi të zgjerimit me partnerë të tjerë, por me kërkesën që PDK-ja të ruajë rolin udhëheqës.
Ai tha se do të ishte e moralshme që zëvendëskryeministri, Pacolli, i cili nuk e ka pasur guximin të bëjë denoncim të menjëhershëm në organet e drejtësisë për çështjet që janë ngritur, të jep dorëheqje dhe më këtë do të krijohen mundësi për rishikimin e koalicionit aktual qeverisës.
”Institucioni i moralit politik i cili duhet të funksionojë vazhdimisht, e sidomos me këto zhvillime, e kërkon dorëheqjen nga funksioni medoemos dhe në mënyrë të parevokueshme për të krijuar hapësirë institucionale veprimeve të drejtësisë. Goditje më të rëndë mbi imazhin e qeverisë nuk kemi pasur asnjëherë”, tha Krasniqi në Parlament./Indeksonline/