Radioja e UÇK-së, uzurpatore
Pronën shoqërore në Kosovë, përveç ish-komandantëve të UÇK-së, vlerësohet se e ka uzurpuar edhe Radio Kosova e Lirë e njohur si radioja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.
Një aset i ish-ndërmarrjes shoqërore Urata më herët e quajtur “Voqar” shfrytëzohet nga Ahmet Qeriqi drejtues i kësaj radioje.
Por, në një raport që ka bërë Agjencia Kosovare e Privatizimit për asetet e uzurpuara nga individë e organizata të ndryshme përmendet edhe Radio Kosova e Lirë.
Në raportin që e ka siguruar Indeksonline konstatohet se RKL-ja prej vitit 2007 ka okupuar një supermarket të ish-ndërmarrjes shoqërore Urata që gjendet në lagjen Aktash dhe që ka një sipërfaqe prej 232 metrash katrorë.
Ndonëse në raport figuron si uzurpator Ahmet Qeriqi i regjistruar si pronar i Radio Kosova e Lirë ka deklaruar se AKP’së i paguhet qiraja në baza mujore.
“RKL i paguan qiranë mujore AKP ashtu sikur i ka paguar URAT-ës. Kjo vërtetohet lehtë po në AKP”, ka deklaruar Qeriqi.
Çuditërisht, megjithëse AKP-ja e ka futur në raport si uzurpatore ‘Kosovën e Lirë” në përgjigje zyrtare për Indeksonline, AKP-ja e demanton raportin e vet.
“NSH Urata është në proces të likuidimit që nga viti 2007. Radio Kosova e lirë, nuk ka pasur marrëveshje për qiranë me AKP-në, dhe Komiteti i Likuidimit i kesaj NSH-je ka dërguar njoftim se duhet të bëhet marrëveshje mbi qiranë dhe duhet paguar për shfrytëzimin e lokalit, në të kundërtën Agjencia është e obliguar të ndërmarr veprime ligjore përmes gjykatës.
Marrëveshja mbi qiranë është arritur dhe shfrytëzuesi i lokalit është pagues i rregullt i qirasë.
Prona në fjalë është përgatitur dhe tenderuar për shitje përmes likuidimit konkretisht Shitja e Aseteve 13, mirëpo nuk ka pasur asnjë ofertues”, ka thënë për Indeksonline Ylli Kaloshi nga AKP-ja. /Indeksonline/

