Pa Ramushin, AAK s’bën koalicion me PDK-në
Vendimi i Tribunalit të Hagës për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, mund të mos merret deri në muajin nëntor, edhe pse të gjitha procedurat janë përmbyllur. Për Aleancën e Ardhmërisë së Kosovës janë të kota spekulimet se do të lidhë koalicion me PDK-në pa kthimin e Ramush Haradinajt në politikë.
Nëntori i këtij viti është afati i fundit kur Gjykata e Hagës do të duhet të dalë me verdiktin final për Ramush Haradinajn dhe tre bashkëluftëtarët e tij, raporton KTV, ndonëse gjithçka ka përfunduar dhe ka mbetur vetëm zyrtarizimi i vendimit të Gjykatës, cilido qoftë ai.
Aktualisht Haradinaj ndodhet në Kosovë, por i ka të ndaluara paraqitjet në publik.
Por partia e tij pret që vendimi të jetë në favor të Haradinajt, dhe ai shumë shpejt të kthehet në krye të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Deri atëherë nuk do të dihet nëse AAK-ja do të hyjë në koalicion me PDK-në.
Besnik Tahiri ka thënë se AAK-ja asnjëherë nuk e ka diskutuar në parti këtë çështje, madje, sipas tij, ka muaj të tërë që kjo parti nuk ka mbajtur takime.
Ish-kryeministri Haradinaj pati fituar një betejë në Hagë, kur në prill të 2008-ës u shpall i pafajshëm, pas një gjykimi gati 3-vjeçar.
Por në korrikun e 2010-ës ai u kthye sërish para Gjykatës së Hagës për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish-bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj.
Ramush Haradinaj vazhdon të jetë kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa në 2005-ën ishte edhe kryeministër i Kosovës, por dha dorëheqje nga posti më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar në Gjykatën e Hagës.