Mblidhet Kryesia e PDK-së për dialogun me Serbinë
Mediet në Prishtinë njoftojnë për një mbledhje të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, të mbajtur mbrëmë, në selinë e PDK-së. Ngjarja përbën lajm për shkak të takimeve të rralla të strukturave udhëheqëse të kësaj partie, por edhe për faktin se mbahet në kohën kur po diskutohet për koalicione të reja qeverisëse si dhe për reformatim të Qeverisë në prag të dialogut politik me Serbinë.
Pas takimit, për media është prononcuar vetë kreu i kësaj partie, Hashim Thaçi.
Ai tha para gazetarëve se ishte një takim i zakonshëm, ku është diskutuar për tema të shumta, përfshirë dialogun, por edhe zgjedhjet brenda partisë.
“Kemi diskutuar për hapat e ardhshëm dhe hapat e tjerë politikë, ishte konkluzion i përbashkët për të nxjerr rregulloren e punës për zgjedhje, në të njëjtën kohë për të diskutuar për procesin e mundshëm të bisedimeve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, por edhe për procesin e privatizimit. PDK-ja respekton Kushtetutën, konkurrencën e lirë dhe procesin e transparencës, por edhe procese tjera të nevojshme për t’i bartur si PDK. Prandaj PDK-ja do të vazhdojë t’i kthehet edhe agjendës partiake për mobilizim të ri, për fuqi të re dhe për fitore të re”, ka cituar RTK-ja Thaçin.
Në pyetjen e gazetarëve rreth mundësisë së koalicionit me AAK-në, kreu i PDK-së nuk ka dashur të flasë, por ka thënë se po bisedohet me të gjithë për një funksionim të mirë të institucioneve qendrore dhe atyre lokale.
”Është diskutuar për funksionimin e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, nga niveli qendror deri tek ai lokal. Natyrisht edhe për përmirësime aty ka ka lëshime dhe dobësi. Do të ketë mbledhje të rregullta për çdo çështje që janë ngritur si tema për t’u diskutuar”, ka deklaruar ai.
I pyetur se përse Azem Syla kishte dalë më herët nga takimi, Thaçi është përgjigjur duke thënë se nuk ka shikuar se kush ka hyrë i pari e kush i fundit.
Edhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka theksuar se në takim është diskutuar për tema të ndryshme.
Po ashtu, ai ka thënë se në takim është biseduar edhe për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë.
Indeksonline pohon të ketë mësuar se gjatë mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ka pasur mospajtime nga Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj. Po ashyu, sipas këtij burimi, në takim është parë duke hyrë edhe ish kreu i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli.