Janë ndalë njohjet, por jo edhe marrëveshjet bilaterale
Ka arritur në 103 numri i marrëveshjeve ndërkombëtare bilaterale që Republika e Kosovës i ka nënshkruar me shtetet e ndryshme të botës, që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt 2008.
Marrëveshjet bilaterale të nënshkruara nga institucionet e ndryshme të Kosovës me institucionet simotra të vendeve partnere rregullojnë një gamë të gjerë të marrëdhënieve me mbi 25 shtete të ndryshme të botës.
Marrëveshja e parë e nënshkruar është ajo ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikë së Turqisë për Heqjen e Ndërsjellë të Vizave, e nënshkruar më 13 janar 2009, ndërsa marrëveshja e fundit është Marrëveshja për Themelimin, Funksionimin dhe Aktivitetet e Qendrave Kulturore me Republikën e Turqisë, nënshkruar me 14 shtator 2012.
Prej këtyre marrëveshje, 10 janë marrëveshje me organizata dhe institucione ndërkombëtare.
Po ashtu në proces janë edhe 116 nisma për marrëveshje të dërguara nga Republika e Kosovës një pjesë e të cilave tashmë janë pranuar.
Ndërsa, vlen të theksohet se janë nënshkruar edhe një numër i konsiderueshëm i protokolleve të bashkëpunimit, të nënshkruara nga Ministri i Jashtëm (që nuk janë subjekt ratifikimi) si dhe Memorandume.
Marrë parasysh praktikën ndërkombëtare dhe proceset e zhvilluara, nënshkrimi i 103 marrëveshjeve ndërkombëtare në këtë interval kohor, konsiderohet një sukses i veçantë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.
Artan Behrami, këshilltar për Media i ministrit Hoxhaj ka thënë se Republika e Kosovës tashmë ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe me shumicën e shteteve anëtare të BE-së, SHBA-në dhe vendet e rajonit.
“Si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe ndërshtetërore, është thelluar bashkëpunimi ndërshtetëror me këto shtete dhe është themeluar baza kontraktuale në shumë fusha të rëndësisë së veçantë si: bashkëpunimi ekonomik, mbrojtja dhe promovimi reciprok i investimeve, bashkëpunimi doganor, fusha e sigurisë dhe policisë, riatdhesimi, transporti rrugor, bashkëpunimi juridik ndërkombëtar, bashkëpunimi zhvillimor, asistenca teknike, etj”, tha Behrami.
Po ashtu, sipas tij, nënshkrimi i marrëveshjeve për riatdhesim me 15 vende anëtare të BE-së dhe rajonit ka kontribuar në plotësimin e detyrimeve të Republikës së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.
Vetëm gjatë vitit 2012, Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet tjera ka bashkërenduar procesin e lidhjes së mbi 10 marrëveshjeve ndërshtetërore dypalëshe në fushën e sigurisë, zbatimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar juridik, promovimit dhe mbrojtjes se investimeve, riatdhesimit etj. /standardi.