Deshi ta furnizojë me narkotikë vëllain në burg
Një vizitor 20-vjeçar me inicialet E.B. nga fshati Lutogllavë i Pejës dyshohet se ka tentuar që nëpërmjet një vizite t’ia përcjellë disa substanca narkotike vëllait të tij K.B. i burgosur i mitur në Qendrën Korrektuese të Lipjanit.
E.B. ka provuar që nëpërmjet një qeseje najloni t’ia përcjellë vëllait substancën e dyshuar narkotike të tipit marihuanë, mirëpo ka dështuar ta bënte këtë për faktin se oficerët korrektues gjatë kontrollit e kanë vënë re një gjë të tillë. Këtë lajm ndërkaq e ka konfirmuar nëpërmjet një komunikate edhe Policia e Lipjanit, të hënën.
“Nga zyrtarët e Qendrës Korrektuese në Lipjan jemi njoftuar se një vizitor, E.B., datëlindja 1992, nga fshati Lutogllavë, Komuna e Pejës, kishte shkuar në Qendrën Korrektuese në Lipjan për ta vizituar vëllanë K. B. dhe gjatë kontrollit oficerët korrektues kishin gjetur një qese najloni në të cilën kishte një substancë të dyshuar narkotike”, thuhet në komunikatën e Policisë së Lipjanit, ndërsa bëhet e ditur edhe për konfiskimin e substancës.
“Nga njësiti i hetuesisë është konfiskuar substanca e dyshuar narkotike e tipit marihuanë ( Kanabis Sativa) 9 gramë. Në orën 15:15 në konsultim me prokurorin komunal rasti ka shkuar në procedurë të rregullt”, ka vazhduar komunikata.
Ndërkohë që autoritetet e burgjeve në Kosovë këtë ndalim përpjekjeje për të futur në burg substanca narkotike ndërkaq e kanë përshkruar si meritë ekskluzive të stafit të oficerëve korrektues, raporton koha.
“Kemi kryer të gjitha procedurat dhe atë substancë që kemi konfiskuar së bashku me personin që ka tentuar ta fusë atë në burg e kemi dorëzuar në polici. Kjo është një meritë e stafit të burgut që kryen kontrollet para vizitave dhe nuk duhet që kjo meritë asnjëherë të atribuohet te tjetërkush, sepse është vetëm e stafit korrektues”, ka thënë Resmi Hoxha, komisar i burgjeve të Kosovës./Indeksonline/