Albright propozohet qytetare nderi e Mitrovicës
Ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright nuk do të shkojë pa një çmim nga Kosova, në vizitën e saj që do ta realizojë në fillim të tetorit bashkë sekretaren e shtetit zonjën Hillary Clinton. Komuna e Mitrovicës dhe shoqata “Miqtë e Amerikës”, e kanë në plan ta shpallin Albright qytetare nderi të Mitrovicës. Për këtë u bisedua ndërmjet kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili i shoqëruar nga nënkryetari, Riza Haziri, priti në takim kryetarin e Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi.
Ky propozim është bërë pikërisht nga kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, para disa muajsh në Mitrovicë. Kryetari Kastrati, ka shprehur respektin për punën e kësaj shoqate si dhe ka mirëpritur propozimin që ish-sekretarja Albrajt të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës. Ai tha se kjo do të ishte nder për Mitrovicën dhe për Kosovën në përgjithësi. Ai tha se ky propozim do të shtrohet në të gjitha strukturat komunale në mënyrë që të procedohet me kohë.
“Ne do të angazhohemi që ky propozim të jetësohet, meqë kontributi për Kosovën i znj. Albrajt është shumë i madh”, theksoi ai. Ndërsa, kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, ka shprehur respektin për mikpritjen dhe mbështetjen e ofruar nga drejtuesit komunalë. Ai u zotua për angazhim të gjithanshëm që të bëhet realitet ideja që Albright të shpallet qytetare nderi e Mitrovicës.