Topi: Berisha si diktator, Rama i pafuqishëm
Bamir Topi, kryetar i partisë Fryma e Re Demokratike (FRD), të hënën ka hedhur akuza ndaj dy partive të mëdha të skenës politike shqiptare. Në një fjalim me simpatizantët e FRD-së në Lezhë, Topi ka akuzuar Partinë Demokratike dhe atë Socialiste se kanë monopolizuar votën e shqiptarëve.
“Partitë e vjetra kanë monopolizuar votën e shqiptarëve. Kryeministri Sali Berisha po e çon vendin drejt diktaturës. Berisha ka uzurpuar të gjitha institucionet, ndërsa opozita nuk bën opozitë”, ka deklaruar Topi, raporton TCH.
Më tej kreu i FRD-së, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka përsëritur qëndrimin se partia e tij nuk do të bëjë aleancë me asnjë nga partitë e mëdha. “Fryma e Re Demokratike do të bëjë aleancë me qytetarët shqiptarë dhe jo me partitë e vjetra”, është shprehur ish presidenti i Republikës, Topi. /Telegrafi/