Kalo te lënda

Shumë bastisje, pak gjykime e më pak dënime

Hetimi e arrestimet e fundit në Komunën e Prishtinës kanë vënë në pah bastisjet e shumta të misionit për sundim të ligjit, EULEX. Por, pak prej këtyre rasteve kanë përfunduar me gjykime, e aq më pak me dënime për korrupsion e krim të organizuar.

Pamje si ato të 2010-ës në Ministrinë e Transportit e në pronat e Fatmir Limajt në qendër të Prishtinës janë parë edhe shumë herë të tjera që nga atëherë, transmeton KTV.

Madje, për shkak të kalimit të kohës së hetimeve, po tentohet që nëpërmes një hetimi të ri për vëllezërit e shefin e kabinetit të Limajt, të vazhdohet hetimi për deputetin e PDK-së.

Rasti i fundit, me ish-kryesuesin e Asamblesë Komunale të Prishtinës ka treguar se EULEX-i po vazhdon hetimet e akuzat për korrupsion, por pak prej rasteve të profilit të lartë kanë përfunduar me dënime.

Me tre vjet burgim është dënuar ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, për akuzat zhvatje dhe armëmbajtje pa leje.

Por, vendimi ende nuk ka filluar të ekzekutohet.

Në nëntor të 2010-ës ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, është dënuar me 1 vit e gjysmë burgim, por me kusht.

Arrestimi e nxjerrja në pranga nga zyra ish-guvernatorin e BQK-së, Hashim Rexhepi,pastaj aktakuza për korrupsion, shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, shmangie e tatimet, e shpëlarje parash, u hodh poshtë një vit më vonë kryesisht për mungesë provash.

Njësojë ndodhi, edhe me drejtorin e Doganave, Naim Huruglica, aktakuza e të cilit për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe abuzim të autorizimeve ekonomike u hodh poshtë.

Të tjera hetime e bastisje u bënë edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme e në Polici dhe në Ministrinë e Komuniteteve e Kthimit, ku akuza ndaj sekretares së përgjithshme të kësaj ministrie u hodh poshtë.

Por, një rast i madh i krimit të organizuar llogaritet ai kundër Bedri Krasniqit e 6 personave të tjerë, të cilët janë dënuar me gjithsej 87 vjet burgim.

Raste të tjera po vazhdojnë të gjykohen, si ajo kundër ish-kryeshefit të PTK-së, Shyqri Haxha, e 4 persona të tjerë, akuzohen për dëmtim të PTK-së pasi kanë lidhur kontrata të dëmshme, edhe pse ishin në dijeni për një gjë të tillë.

Një gjykim tjetër për korrupsion sapo ka nisur kundër prokurorit e ish-shefit të Taskë Forcës Kundër Korrupsion, Nazmi Mustafi.

Misioni më i shtrenjtë evropian, EULEX, që do të qëndrojë në Kosovë të paktën edhe dy vjetët e ardhshëm vazhdimisht ka mbrojtur punën e tij, duke mohuar se nuk është duke u bërë asgjë në luftën kundër korrupsionit.

E institucionet vendëse vazhdimisht janë arsyetuar se EULEX-i ka kompetenca më të mëdha në hetimin dhe gjykimin e rasteve të profilit të lartë, të lidhura me korrupsion e krim të organizuar.

Lini një koment