Kalo te lënda

Kuvendi sot diskuton kërkesat e BSPK-së

Në seancën e sotme, pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët pritet të zhvillojnë debatin parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, sipas kërkesës së disa deputetëve.

BSPK-ja sot do t’i drejtohet Kuvendit  me peticion dhe kërkesa, me të cilat kundërshtohet mënyra se si po bëhet privatizimi i ndërmarrjeve publike.

Drejtuesit e BSPK-së, dje u kanë bërë thirrje të gjithë deputetëve që të kenë mirëkuptim në kërkesat e tyre rreth privatizimit të PTK-së, KEK-ut dhe likuidimit të Trepçës

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, ka thënë se deputetët duhet t’i marrin dhe t’i shqyrtojnë seriozisht kërkesat e BSPK-së dhe peticionin.

Punëtorët e Postë-Telekomit të Kosovës dhe të Distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë protestuar në vazhdimësi, për të kundërshtuar privatizimin e këtyre ndërmarrjeve.

Gjatë seancës së sotme po ashtu do të shqyrtohen edhe tri raporte (për vitin 2011) të agjencive që i përgjigjen Kuvendit: Raporti vjetor i Avokatit të Popullit, Raporti vjetor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe Raporti vjetor i performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2011.

Lini një koment