Kushtetuta është bërë paçavër. Deputeti s’guxon të flasë!
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Fatmir Limaj vazhdon të kritikojë punën e institucioneve të vendit, edhe pse partia e tij qeverisë shtetin. Limaj sot gjatë shqyrtimit të raportit të Avokatit të Popullit, tha se Kushtetuta e vendit është bërë paçavër për interesa politike, ndërsa shtoi se deputetët frikësohen të flasin, gjykatësi frikësohet të gjykojë e prokurori frikësohet të hetojë. Megjithatë Limaj shprehu optimizmin se kjo gjendje do të ndryshojë. “Unë e di që dikush këqyr me rrënu këtë institucion. Ju ftoj gjithë punëtorët e zyrës suaj të jeni në shërbim të qytetarit edhe pse nuk do ta keni të lehtë. Por jam i bindur se e mira do ta mbys të keqen, jo sepse jemi në Kosovë por sepse e mira gjithmonë ka fituar”, i është drejtuar Limaj, Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi. Deputeti Limaj, ka shpërthyer edhe më tej duke thënë se Kushtetuta është bërë paçavër për interesa politike. Ai tha se institucionet e ashtuquajtura të pavarura të Kosovës, po e rrënojnë sistemin e drejtësisë. “Deputeti frikësohet të flasë, gjykatësi frikësohet të gjykojë e prokurori frikësohet të hetojë, por gjendja do të ndryshojë” ka thënë më tej Limaj, duke thënë akuzuar Gjykatën Kushtetuese si institucion, që dëgjon shefin, andaj edhe vlerësohet për punën e saj. Deputeti Limaj shprehet i bindur se ky ngërç politik do të ndryshojë, duke sygjeruar institucionet e vendit, që të mos rrinë vetëm në zyret e tyre, por të dalin dhe të tregojnë se ç’farë po ndodh me të vërtetë në Kosovë./KOSOVASOT/