Kroacia do ta mbështesë Kosovën
Kosova duhet të ec sa më shpejtë drejtë Integrimit Evropian. Kroacia është e gatshme që, si anëtare e ardhshme e Unionit Evropian, ta ndihmojmë Kosovën në rrugën e saj drejtë integrimit në BE, si në aspektin e liberalizimit të vizave dhe në atë të stabilizim-asocimit.
Sovraniteti i Kosovës për Kroacinë është i padiskutueshëm dhe se Kroacia vetëm dëshiron ta ndihmojmë Kosovën, në rrugën e zhvillimit të gjithëmbarshëm. Kështu ka deklaruar, Neven Mimica, zëvendësministër për Punë të Brendshme, të Jashtme dhe Politika Evropiane i Republikës së Kroacisë, pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Neven Mimica, pas këtij takimi, ka thënë se kjo vizitë e vërteton përkrahjen e Kroacisë në rrugën e Kosovës drejtë BE-së dhe se bashkëpunimi në mes këtyre dy vendeve duhet të thellohet edhe më tej në të gjitha fushat.
Ai ka thënë se Kroacia përshëndet përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës si dhe suksesin që Kosova ka arritur në ndërtimin e institucioneve të reja dhe shtetin modern. Siç raporton Express, ai ka shprehur mbështetjen e plotë të Kroacisë në integritetin politik dhe sovranitetin e plotë të Kosovës, duke premtuar ndihmën e Kroacisë për Kosovën në çdo aspekt, atë të integrimeve evropiane dhe në ndërtimin e një barazie të plotë për të gjithë në Kosovë.
“Kosova duhet të ec sa më shpejtë në integrimet e evropiane. Ne jemi të gatshëm që, si anëtare e ardhshme e Unionit evropian, ta ndihmojmë Kosovën dhe në aspektin e liberalizimit të vizave dhe në stabilizim-asocim por gjithashtu t’i përcjellim përvojat tona dhe në sundimit të ligjit. Sovraniteti i Kosovës për ne është i padiskutueshëm, është punë e kryer. Ndërkaq vetëm dëshirojmë ta ndihmojmë Kosovën, në rrugën e zhvillimit të gjithëmbarshëm”, ka pohuar ai.
Ndërsa zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se bashkëpunimi në mes këtyre dy vendeve, duhet të jetë shembull për popujt e tjerë, e veçanërisht për ata të cilët ende nuk janë në gjendje ta përqafojnë paqen.
“Bashkëpunimi i Kosovës dhe Kroacisë është shembull i mirë për bashkëpunimin rajonal, për nxitjet e tilla në të ardhmen, për paqe dhe stabilitet dhe për integrime në Union Evropian. Secili shtet, veç e veç, mund ta luaj rolin pozitiv, por natyrisht t’i japim shembuj, popujve të tjerë, të cilët ende nuk janë në gjendje të tillë që ta përqafojnë paqen”, ka thënë Kuçi.
Ai më tej ka thënë se gjatë këtij takimi ka falënderuar Mimican për mbështetjen që Kroacia ka dhënë për Kosovën në të gjitha proceset, duke pohuar se Kosova ka hapur një horizont të ri dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve, do të jetë prioritet. Kuçi po ashtu ka përmendur se është shumë me rëndësi që në procesin e liberalizimit të vizave, tek marrëveshja për Stabilizim-Asocim dhe marrëdhëniet tregtare, ta kemi mbështetjen e plotë të Kroacisë, e cila që nga viti tjetër, do të jetë anëtare e plotë e BE-së.
Kuçi, po ashtu, ka thënë se temë diskutimi ka qenë edhe çështja e integrimit të plotë të veriut dhe mundësinë që atje të sundoj rendi dhe ligji si dhe ka shprehur vullnetin e Kosovës që t’i implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai, po ashtu, ka thënë se mund të ketë dhe bisedime tjera me Serbinë, por në të cilat nuk përfshihen pavarësia e Kosovës dhe as tërësia territoriale.
Në këtë takim, Kuçi, po ashtu, ka shprehur dhe një kërkesë të veçantë për fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, që të bëhen marrëveshje të tjera, që të dy shtetet të kenë mundësi të zhvillojnë bashkëpunimin në këtë fushë, në mënyrë që me eksperiencat e duhura, të ndihmohet rendi dhe ligji në dy vendet, sipas kritereve të BE-së.