Ish-pjesëtarët e TMK-së kërcënojnë me grevë urie
Të gjendur para situatave të vështira ekonomike, por edhe të zhgënjyer nga premtimet e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së FSK-së, ish pjesëtarët e TMK-së kanë vendosur të mos heshtin më. Ata kërkojnë të përmbushen premtimet që u janë dhënë, në të kundërtën do të hyjnë në grevë urie.
Njëri nga më shumë se 1000 ish pjesëtaret e Trupave Mbrojtës të Kosovës (TMK), të cilët nuk patën fatin të jenë pjesë e FSK-së, është edhe Shukrim Lika. Ai, së bashku me kolegët e tij, ka vendosur ta ngre zërin për gjendjen e mjeruar në të cilën janë ish- pjesëtarët e TMK-së.
“E kemi pas një rast. Ditën e bajramit më është komunikuar një lajm nga kolegët që ka dëgjuar që njëri ka deshtë ta vras vetën. Pra, nuk është e rrugës, nuk është normale që ata të cilët kanë dhënë kontribut të vendit të vijnë deri në këtë gjendje”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se, 14 vite pas luftës, nuk guxohet që ish-pjesëtarët e TMK-së të mbesin pa bukë dhe të vijnë në situata që vetëvriten.
“Neve na u është premtuar nga institucionet e vendit, nga qeveria, ministria e FSK-së dhe Shtabi i përgjithshëm i TMK-së në atë kohë që do të bëhet një zgjidhje në afat të shkurtër kohor. Do të bëhet një ri-sistemin, prej një pune do të kalojnë këta pjesëtarë do të shkojnë në një punë tjetër, gjë e cila fatkeqësisht nuk ndodhi kurrë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se TMK-ja ka pas nevojë për një transformim në FSK por jo për një transformim të ndikuar. Sipas tij, ka shumë raste që në atë kohë është investuar me miliona euro për trajnimet e pjesëtarëve të TMK-së, të cilët nuk janë bërë pjesë e FSK-së.
“Nëse nuk ndodhë një zgjidhje në afat të shkurtër kohor, neve nuk na ka mbet asgjë tjetër veç të mobilizohemi të gjithë pjesëtaret të cilët e kemi dhënë një kontribut jashtëzakonisht, të veçantë që të futemi me një grevë të mundshme. Diku në një vend të institucioneve, ministrinë e FSK-së apo në kuvend e qeveri, të vetë mohohemi sepse nuk na ka mbet rrugë tjetër”, ka thënë Lika, transmeton Kosovapress.
Lika ka bërë të ditur se sot e kanë takuar ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, nga i cili kanë kërkuar zgjidhje të gjendjes së rëndë të ish pjesëtarëve të TMK-së.
Ai thotë se planfikojnë t’i drejtohen edhe Presidentes së vendit si komandante supreme e Forcës së Kosovës, Avokatit të Popullit, Ambasadës Amerikane dhe institucioneve të tjera për t’i njoftuar me hallet e tyre. /Telegrafi/