Diplomatët “klandestinë”
Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj po i fut në mënyrë “klandestine” njerëzit e preferuar të tij dhe të partisë në pushtet, nëpër pozita të ndryshme në staf konsullor dhe diplomatik. Ai me këtë rast, po e anashkalon konkursin i cili është mbajtur një vit më parë, ku kanë marrë pjesë më shumë se 600 kandidatë për disa pozita në stafin konsullor e diplomatik.
Për anashkalim të konkursit flasin analistët politikë dhe përfaqësuesit e partive politike opozitare, të cilët këtë çështje e konsiderojnë shkelje e të drejtave të njeriut.
Çështja e stafit konsullor e diplomatik, siç vlerëson opozita, është vetëm njëra nga shumë anomalitë e krijuara në diplomacinë kosovare.
Vjosa Osmani, deputete e partisë më të madhe opozitare të LDK-së se “Kemi pasur shkelje të ligjit pothuajse çdo ditë nga ana e ministrit Enver Hoxhaj, shkeljet në veçanti kanë të bëjnë me ndërtimet e shërbimit diplomatik. Përveç largimit joligjor të ambasadorëve që nuk konsideroheshin militantë të PDK-së, ministri kohë pas kohe ka punësuar staf diplomatik e konsullor pa konkurs, gjë që nuk lejohet.
MPJ, sipas saj, ka bërë ngritje në grada diplomatike më shumë se dy apo tri grada gjë që bie ndesh me ligjin sepse sipas saj, ngritja në grada mund të bëhet vetëm për një gradë dhe atë me rekomandim të komisionit për grada.
“Çdoherë janë anashkaluar këto praktika sepse qëllimi i ministrit ka qenë që t’u gjendet vendi militantëve të partisë, të cilët kurrë nuk janë marrë me diplomaci por vetëm me punë të partisë”, ka thënë ajo.
Sa i përket konkursit për staf diplomatik e konsullor, sipas saj, është një shkelje e pastër e ligjit sepse ka kaluar më shumë se një vit që kur ata janë testuar. Madje, ajo ka thënë se mospublikimi i rezultateve është shkelje e të drejtave të njeriut sepse mbi 600 njerëz meritojnë të kenë një përgjigje. Së fundi, LDK ka kërkuar interpelancë me ministrin e Punëve të Jashtme.
Ndërsa, Donika Kadaj-Bujupi (AAK) ka thënë se e para Ministria e Jashtme është joserioze dhe veç ka shkuar në banalitet.
Sipas saj, mospublikimi i rezultateve është shkelje e të drejtave të njeriut dhe mungesë e funksionimit të një shteti ligjor në Kosovë. “Në cilindo vend të botës ministri dhe personat përgjegjës moti do të kishin shkuar në shtëpi nëse do të ndodhnin shkeljet e të drejtave dhe lirive të njeriut”, ka thënë ajo.
Pas gjithë këtyre parregullsive në MPJ dorëheqja, sipas saj, është akti më i vogël moral nëse ka mbetur moral në këtë vend.
Edhe analisti Alban Bokshi vlerëson se mospublikimi i rezultateve të konkursit për staf konsullor e diplomatik është shkelje e të drejtave të njeriut.
“Kjo zvarrtje e procesit rrit dyshimet se ka gisht edhe përzgjedhja politike e stafit konsullor e diplomatik”, ka thënë ai.
Ndërkaq, rreth çakordimit të krerëve të MPJ-së me krerët e qeverisë rreth çështjes së Malit, Bokshi ka thënë se kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme duhet të japin përgjegjësi.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi nuk ka dashur të flasë rreth stafit konsullor e diplomatik, ndërkaq konsideron se diplomacia kosovare është shumëdimensionale. Madje sipas tij, kreu i diplomacisë Enver Hoxhaj për një kohë të shkurtër ka krijuar një aparat dinamik dhe efektiv diplomatik, përkundër problemeve të trashëguara siç janë keqmenaxhimi i mëhershëm i buxhetit, mungesa e resurseve adekuate njerëzore dhe propagandës së diplomacisë serbe.