BSPK-ja për 20 shtator paralajmëron protestë kundër privatizimit
Sindikalistët e Kosovës kanë bërë gati 61 mijë nënshkrime të qytetarëve për të kundërshtuar shitjen e ndërmarrjeve publike, PTK-së dhe KEK-ut, si dhe likuidimin e ndërmarrjes “Trepça”. Sot, pra të hënën, ata do t’i dorëzojnë në Kuvend, Presidencë, Qeveri dhe Ambasadë të Amerikës nënshkrimet e qytetarëve kundër privatizimit të këtyre ndërmarrjeve publike, me synim për të ndalur proceset e privatizimit të këtyre ndërmarrjeve. E nëse Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të marrin parasysh këtë peticion, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës paralajmëron protestë të fuqishme. Sindikalistët kanë shpresë që të hënën deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë një mocion të përbashkët që do ta ndërpresë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike, PTK-së, KEK-ut dhe likuidimin e “Trepçës”.
“Këtë peticion e kanë nënshkruar 61,539 qytetarë, duke shprehur vullnetin e tyre kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike, PTK-së, KEK-ut dhe likuidimin e “Trepçës”. Nëse Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta marrin parasysh vullnetin e qytetarëve të shprehur në peticion, vullnetin e punëtorëve dhe të sindikatave, ne si nismë e përbashkët e këtyre organizatave do të protestojmë fuqishëm”, tha kreu i BSPK-së, Haxhi Arifi, në konferencën për media të mbajtur të dielën.
Protestat e fuqishme Arifi i paralajmëroi më 20 shtator, tri ditë pas mbajtjes së seancës së Kuvendit që do të mbahet sot (e hënë), e ku do të debatohen lidhur me proceset e privatizimit të ndërmarrjeve publike.
Protesta, sipas tyre, do të mbahet për ta parandaluar fillimisht nënshkrimin e kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit “Limak-Çalik” për shitjen e Rrjetit të Distribucionit të KEK- ut.
“Angazhimi jonë gjatë kësaj kohe ka qenë i përqendruar për të kundërshtuar shitjen e ndërmarrjeve publike, PTK-së dhe KEK-ut, si dhe likuidimin e ndërmarrjes “Trepça”. Gjatë kësaj kohe ne kemi organizuar tri tryeza me temën “Privatizimi në Kosovë”, dy konferenca për medie, një peticion i cili është shtrirë në të gjitha komunat dhe ndërmarrjet publike të Kosovës, një protestë gjysmëore në ndërmarrjet PTK, KEK dhe “Trepça” nga punëtorët e këtyre ndërmarrjeve. Po ashtu gjatë kësaj kohe i kemi takuar edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare të LDK-së, Vetëvendosjes, AAK-së dhe AKR-së dhe nga të gjithë këta kemi marrë zotimin se në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës që do të mbahet të hënën, do ta mbështesin një mocion të përbashkët që do ta ndërprejë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike, PTK-së, KEK-ut dhe likuidimin e “Trepçës”. Ne, organizatat pjesëmarrëse në këtë nismë, u bëjmë thirrje edhe një herë të gjitha grupeve parlamentare që në këtë seancë të Kuvendit të Kosovës të votojnë duke respektuar vullnetin e qytetarëve dhe të punëtoreve të shprehur në peticionin e organizuar nga BSPK-ja”, tha Arifi. Ai nuk ishte i gatshëm të paraqesë pikat e mocionit që do të dalin për votim në Kuvendin e Kosovës.
Por ishte aktivisti i “Vetëvendosjes”, Dardan Molliqaj, ai që shpalosi një nga versionet e mundshme të mocionit. Mocioni, sipas Molliqajt, kërkon rishikim të procesit të privatizimit, si dhe ndërprerje të privatizimit të KEK-ut, PTK-së dhe “Trepçës”. “Mocioni kërkon rishikimin e procesit të privatizimit të deritashëm në Kosovë. Kërkon që para çdo privatizimi të ketë një debat shoqëror me të gjitha sferat për procesin e privatizimit. Normalisht që kërkon ndërprerjen e këtij lloj privatizimi të ndërmarrjeve publike, PTK, KEK dhe Trepçë”, pohoi Molliqaj.
Bashkimi i Sindikatave të Kosovës i ftoi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë peticionin së bashku me rezolutën, e cila do t’i dorëzohet të hënën Kuvendit të Kosovës, me kërkesat për kundërshtim të formës së procesit të privatizimit. “Kjo protestë është e pashmangshme në rast të mosmiratimit të kërkesave tona. U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve dhe qytetarëve që janë të zhgënjyer më zhvillimet ekonomike në vend që të bëhen bashkë për ta parandaluar një shkatërrim të mëtutjeshëm të ekonomisë tonë”, ka thënë kreu i BSPK-së.