Betohen ushtarët e rinj
Në Kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcës Tokësore, në Prishtinë, sot solemnisht dhanë betimin kadetët e Gjeneratës 2016.
Në ceremoninë e betimit, merrnin pjesë: ministri i MFSK-së, Agim Çeku, komandanti i FSK-së gjeneralletënanjt Kadri Kastrati, zv. Ministri Bejtush Gashi, zv. komandanti i FSK-së dhe komandant i KFT-së, gjeneralmajor Rrahman Rama, gjeneralët: Bashkim Jashari, Nazmi Brahimaj, Gëzim Hazrolli dhe Enver Cikaqi, drejtori i Universitetit Amerikan në Prishtinë, z. Kris Holl, si dhe oficerë të lartë të FSK-së, KFOR-it dhe familjarë të kadetëve.
Kadetët e rinj të Qendrës për Studime Universitare të FSK-së i përshëndetën, ministrri dhe komandanti i FSK-së, Agim Çeku dhe gjenerallejtënant Kadri Kastrati.
Ministri Agim Çeku, pasi ka përshëndetur të pranishmit, tha: “sot është një ditë e veçantë për ju kadet, të cilët jeni duke e dhënë betimin, para prindërve të juaj, para ministrit, para komandantëve të juaj. Ju që nga sot, po e filloni një jetë më ndryshe nga ajo që e keni jetuar deri më sot. Ne jemi sot të gjithë këtu, për ju, ju duhet të jeni krenar që patët fatin, që nga 3500 konkurruesit e tjerë, u përzgjodhët të jeni pjesë e këtij rreshti. Ju sot po merrni obligime të mëdha.
Që nga sot, ju nuk jeni duke u shkolluar si moshatarët e juaj, për të qenë të vlefshëm për vete dhe për familje, ju sot po e filloni shkollimin tuaj për të qenë të vlefshëm, kuptohet për vetën tuaj, por në radhë të parë të vlefshëm për vendin dhe për qytetarët e vendit tonë, ju sot po merrni përgjegjësi të reja, po betoheni para flamurit, para prindërve, para komandantëve tuaj, që do të jeni të përkushtuar ndaj vendit, ndaj atdheut, duke pasur gjithmonë parasysh moton e ushtarakut: nderi, detyra dhe atdheu, mbi të gjitha”.
Ministri i FSK-së Agim Çeku, me këtë rast i ka porositë kadetët e rinj; “Që nga sot, shumë gjëra të zakonshme që janë për gjeneratën e juaj, për ju do të jenë ndryshe, ju jeni edhe qytetarë, po jeni në radhë të parë ushtar.
Në çdo situatë, në çdo rrethanë duhet ta dini se kush jeni dhe si duhet të veproni, prandaj jeni ndryshe nga moshatarët tuaj, ju keni përzgjedh një profesion aspak të lehtë, një profesion në të cilin nuk ka detyra të lehta, profesion i cili kërkon vetëmohim, sakrificë, përkushtim, guxim, trimëri, por, mbi të gjitha një profesion shumë fisnik, ku nuk ka gjë më të mirë se me i shërbye vendit, popullit, etj.
Këtë fat e keni pas, e mos harroni që në asnjë moment të dështoni, duhet të jeni shembull çdo kund; në kazermë, në universitet, në rrugë, etj. Keni detyrë nga unë, si Ministër dhe nga Komandanti që të jeni më të mirët, ku nuk guxon askush të jetë ma i mirë se kadeti ose ushtaraku, e keni obligim këtë që duhet të dalloheni. Do të kaloni ditë të vështira, po të gjitha vështirësitë janë për të mirën tuaj, që të përgatiteni sa më mirë për me qenë ushtarë, oficerë të denjë, duhet të punoni si ekip, duajeni njeri tjetrin, mos lejoni që ekipi të ndëshkohet për shkakun e njërit”. Në fund ministri Çeku ka falënderuar edhe familjarët e kadetëve: “Të nderuar prindër, familjarë, e di që edhe ju jeni krenar për djemtë dhe vajzat tuaj, ju falënderoj juve që mbështetet kadetët tanë në synimin dhe dëshirën e tyre për tu bërë ushtarë të vendit, ku në mesin e tyre nesër, do të këtë gjeneral të ardhshëm”.
Për arritjen e këtij objektivi (standardi) nuk mjafton vetëm dëshira dhe përkushtimi i pjesëtarëve të FSK-së, por duhet edhe arsimimi profesional dhe dija e avancuar në këtë fushë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes arsimimit dhe trajnimit të kuadrove të reja. FSK-ja këtë objektiv po e përmbush përmes Qendrës për Studime Universitare e në bashkëpunim edhe me Universitetin Amerikan në Kosovë dhe me Universitet e tjera brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës.
Pas përfundimit të ceremonisë, familjarët së bashku me kadetët, vizituan ambientet e QSU-së, ku u njoftuan me kushtet e kësaj qendre, në të cilën kadetët do të mësojnë dhe qëndrojnë për katër vjet, gjatë studimeve.