Kalo te lënda

Mustafa: Antikorrupsioni, instrument kundër opozitës

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, ka shfaqur drojën se lufta kundër korrupsionit në Kosovë po shndërrohet në instrument të pozitës për ta luftuar opozitën. Këtë bindje ai e ka shpërfaqur para strukturave rinore të partisë, duke marrë si shkas paraburgimin e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës, Sami Hamiti. 

Lideri i partisë më të madhe opozitare ka thënë se gjithkund në botë luftohet korrupsioni në pozitë, ndërsa në Kosovë ai është duke u luftuar në opozitë. Ai nuk ka parë asnjë arsye që në vendin tonë të veprohet ndryshe.

“Ne s’jemi për atë që të mos luftohet korrupsioni edhe në opozitë, në qoftë se kemi elemente dhe faktohet dhe gjenden fakte në sistemin e drejtësisë, por assesi nuk duhet që lufta e korrupsionit të bartet nga pozita në opozitë, sepse pastaj lufta kundër korrupsionit bëhet instrument i pozitës të luftojë opozitën. Dhe demokraci prej asaj pune s’ka dhe shtet ligjor nuk ka në qoftë se sillemi në mënyrë të tillë”, ka deklaruar Mustafa, shkruan Koha Ditore.

Mustafa ka kërkuar nga Qeveria dhe nga organet e drejtësisë, duke përfshirë edhe EULEX-in, që zbatimi i ligjit dhe zbatimi i shtetit ligjor të bëhet në mënyrë të drejtë, jo në mënyrë të orkestruar për arsye se, siç ka thënë ai, “ajo pastaj lë përshtypje se në momente të caktuara po veprohet me kute të caktuara”. /Telegrafi/

Lini një koment