Ministria e harruar e AKR-së
Presioni i Aleancës Kosova e Re, ndaj kryeministrit Hashim Thaçi për implementimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje, në bazë të së cilës partnerit në koalicion, AKR-së, t’ia japë edhe një ministri të re, ka pushuar kohëve të fundit.
Edhe pse apetiti i AKR-së për këtë Ministri ishte goxha i madh para ca kohësh. Analisti politik Behlul Beqaj e quan këtë heshtje mospërfillje të marrëveshjeve të përgjithshme të subjekteve kryesore politik.
“ Në fakt ky është një indikator i qartë se sa bartësit e funksioneve zyrtare janë të papërgjegjshëm për zbatimin e marrëveshjeve të ndërsjella sa herë që ato nuk përkojnë interesat e tyre të ngushta”, ka thënë Beqaj për Indeksonline.
Ai ka shtuar se për këtë heshtje mund të jepen shpjegime të ndryshme, pro që njëra prej tyre mund të jetë edhe pozita e rektorit të universitetit të Prishtinës që iu dha Ibrahim Gashit.
“Mund të jepen shpjegime të ndryshme por asnjë shpjegim nuk e arsyeton moszbatimin e marrëveshjes. Po një nga mundësitë është edhe pozita e rektorit, por është më e rëndësishme marrëveshja paraprake e cila është arritur e nuk po zbatohet. Çdo gjë tjetër është periferike karshi marrëveshjeve”, ka thënë Beqaj.
Por këtë nuk e pranon nënkryetari i partisë Aleanca Kosova e Re Ibrahim Makolli. Ai ka deklaruar për Indeksonline se çështja e zgjedhjes së rektorit ka qenë me konkurs publikë dhe nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen ndërmjet Pacollit dhe Thaçit.
Makolli tha se heshtja e kërkesës së AKR-së për dikasterin e kërkuar, ka të bëjë me proceset e fundit që kanë ndodhur në Kosovë.
“Po heshtja jonë së fundi lidhet me proceset e fundit që kanë ndodhur në Kosovë dhe për shkak të asaj ne kemi heshtur rreth kërkimit të asaj ministrie që Thaçi na ka borxh dhe nuk na ka lejuar të merremi shumë me atë çështje”, deklaroi ai, duke shtuar se sërish do të fillojnë ta kërkojnë atë ministri.
E sa i përket Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Hashim Thaçi, nuk dihet se kur dhe cilën ministri do të ja dhurojë Koalicionit Kosova e Re.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka përsëritur përgjigjen e mëhershme se nuk është në dijeni për dhënien e kësaj Ministrie.
“Unë nuk e di. Për këtë vendos Kryeministri”, ka thënë Kuçi për Indeksonline.
Aleanca Kosova e Re, në fillim kishte kërkuar Ministrinë e Arsimit. Pas kundërshtimeve të mëdha nga Ministri i tanishëm i Arsimit Ramë Buja, kjo kërkesë e AKR-së nuk u plotësua. Më vonë Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe njëherit edhe kryetari i Aleancës Kosova e re, syrin ja vuri Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, por që deri tani as kjo Ministri nuk ju dha kurrë subjektit bashkëqeverisës./Dardan Hoti/