Kalo te lënda

Kryeministri ‘trashë jaranët’ me para të buxhetit shtetëror

Kompania “Kobit PC”, e cila udhëhiqet nga ish-kryespiuni Kadri Veseli, kishte kontrata për furnizim me pajisje teknologjike me Zyrën e Kryeministrit dhe Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

Kjo kompani kishte fituar kontrata nga prokurimet publike dhe me kompanitë private e organizatat e ndërlidhura me njerëz të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)

“Kobit PC”, që ka për pronar Hylmi Veselin, djalin e vëllait të Kadriut, është një kompani që merret me tregti kompjuterësh që nga viti 2008. Atë vit, ishte shuar zyrtarisht Shërbimi Informativ i Kosovës, një organizatë spiunazhi shumë nga drejtuesit e së cilës i përkasin PDK-së së Thaçit, raporton Gazeta JNK.

Zyra e Kryeministrit Thaçi, më 20 korrik të vitit 2009, ka shpallur fituese këtë kompani në tenderin për furnizim me mallra të teknologjisë informative. Oferta e Kobit PC ishte 8 mijë e 547 euro.

Një tjetër institucion që operon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit kishte zgjedhur të njëjtën kompani private më 22 mars 2010.

Sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës kishte shpallur fitues këtë kompani që kërkonte 9 mijë e 954 euro për furnizim me pajisje të teknologjisë informative.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës, në bazë të ligjit përkatës, përbëhet prej institucioneve më të larta në vend dhe jep këshilla në lidhje me sigurinë, bën strategji dhe jep informacione sigurie për Qeverinë.

Institucione tjera publike të cilat kanë lidhur marrëveshje me kompaninë Kobit PC janë edhe Komuna e Malishevës e Qendra Klinike e Universitare e Kosovës (QKUK).

Lini një koment